Lajme

OEK paralajmëron kallëzim penal ndaj ZRRE-së: Vendimi i Supremes po keqinterpretohet

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) shpreh shqetësimin e thellë për mënyrën se si Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) e ka keqinterpretuar publikisht Aktgjykimin e Gjykatës Supreme në lëndën P.A.nr.18/2025, duke tentuar të zbehë efektin e tij juridik. Sipas reagimit të OEK, ky vendim është i formës së prerë, i pakontestueshëm dhe i detyrueshëm për zbatim të menjëhershëm.

“Gjykata Supreme ka konstatuar qartësisht se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është zbatuar në kundërshtim me ligjin, pa analizë konkurrence, pa konsultime publike dhe jashtë kompetencave ligjore të rregullatorit. Vendimi shfuqizon dispozitat kyçe të udhëzuesve për liberalizim dhe konstaton pavlefshmërinë e aktit njoftues”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se megjithatë, komunikata e ZRRE-së e datës 18.11.2025 tenton ta relativizojë këtë vendim, duke krijuar pasiguri të re ligjore dhe duke ekspozuar bizneset ndaj rreziqeve ekonomike dhe dëmeve të mëtejshme.

OEK thekson se: Vendimi i Gjykatës Supreme është i detyrueshëm për zbatim nga çdo institucion publik, Asnjë organ administrativ nuk mund ta interpretojë ose ta zbehë efektin juridik të këtij vendimi, Çdo veprim i bazuar në aktet e shfuqizuara bie ndesh me rendin juridik të Republikës së Kosovës dhe bizneset janë dëmtuar rëndë nga një proces i liberalizimit që tashmë është konfirmuar si i paligjshëm.

“Rritja e çmimit të energjisë, kontratat e imponuara, depozitat e pajustifikuara dhe rënia e konkurrueshmërisë ekonomike janë pasoja direkte të kësaj shkeljeje ligjore”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Për këtë, OEK ka një paralajmërim zyrtar, ku OEK kërkon që ZRRE, brenda 5 ditësh kalendarikë, të ndërmarrë këto hapa: Të publikojë një komunikatë të re dhe të korrigjuar mbi vendimin e Gjykatës Supreme, të ndalojë çdo interpretim të pasaktë të vendimit, të rikthejë bizneset e prekura në Shërbimin Universal, të rillogarisë faturat e periudhës së liberalizimit të paligjshëm dhe të zbatojë në mënyrë të plotë dhe të pakushtëzuar Aktgjykimin e Gjykatës Supreme.

Po ashtu sipas OEK, në rast se brenda afatit nuk ka veprime konkrete, OEK do të depozitojë kallëzim penal ndaj kryetarit të orditt ë ZRRE-së, si përgjegjës për pengimin e zbatimit të një vendimi të formës së prerë të Gjykatës. Llogaridhënia ligjore nuk do të neglizhohet.

Arsyetimi – Pse zbatimi është urgjent

Sipas OEK-ut, mospërmbushja e vendimit dëmton seriozisht: konkurrueshmërinë e bizneseve vendore, besueshmërinë e investitorëve, stabilitetin ekonomik, sigurinë juridike në sektorin energjetik dhe imazhin e vendit si destinacion për investime.

Gjithashtu sipas OEK, procesi i paligjshëm i deritanishëm ka krijuar kosto të larta operative, ka cenuar planifikimin financiar dhe ka pamundësuar investime të reja, duke rrezikuar mijëra vende pune dhe duke dëmtuar strukturën ekonomike të vendit.

Mesazhi për komunitetin e bizneseve, OEK garanton se: do të vazhdojë mbrojtjen juridike të bizneseve të prekura, do të përdorë të gjitha instrumentet ligjore brenda dhe jashtë sistemit administrativ, nuk do të lejojë që vendimet e formës së prerë të injorohen, do të punojë në funksion të rikthimit të sigurisë juridike dhe stabilitetit ekonomik në sektorin energjetik.

“Shteti ligjor funksionon vetëm kur vendimet e gjykatave zbatohen. Asnjë institucion nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. OEK mbetet e vendosur në mbrojtjen e të drejtave të bizneseve dhe të rendit juridik të Republikës së Kosovës”, thuhet në fund të reagimit të OEK.

Ndërkaq, për këtë vendim të Supremes, ZRRE më 18 nëntor, ka njoftuar se Zyra e Rregullatorit për Energji, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e tregut të lirë, duke thënë se bazuar në aktgjykim është hedhur poshtë kërkesëpadia e paditësit përmes së cilës është kërkuar shfuqizimi dhe shpallja e paligjshme e Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike.

Nga ZRRE është thënë edhe se, procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, krahas vlefshmërisë së kontratave ekzistuese të konsumatorëve në treg të hapur, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi.