Sonte, në orën 23:59, mbyllet afati zyrtar për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor.
Para këtij afati, procesi zgjedhor ka kaluar tre faza kyçe: aplikimin për certifikimin e subjekteve politike që synojnë pjesëmarrjen në zgjedhje, regjistrimin e koalicioneve ndërmjet partive, si dhe njoftimin zyrtar të subjekteve që kanë vendosur të mos marrin pjesë në garë.
Të gjitha këto procedura u përmbyllën më 30 nëntor, po ashtu në orën 23:59.
Fushata zyrtare për zgjedhjet nacionale pritet të nisë më 17 dhjetor.
Ndërkohë, sot nga ora 14:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hedhë shortin për renditjen e partive politike në fletëvotim, hap që do të përcaktojë pozicionimin e secilit subjekt në listën zgjedhore.


