“Bretkosa” – drama psikologjike që e shfaq troç realitetin dhe fatet njerëzore

Lufta ka lënë pas pasoja të tmerrshme, trauma të rënda dhe të pa shërueshme për një pjesë të mirë të atyre që e kanë përjetuar nga afër eksodin serb. Një pjesë e madhe e ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës sot kanë mbetur nën mëshirën e fatit. Realiteti i tyre është dramë tragjike që vazhdon edhe sot e kësaj dite, shkruan “Kosovarja”.

Nën këtë fabulë, regjisorja Burbuqe Berisha ka ndërtuar dramen me titull “Bretkosa”, që vë në lojë katër karaktere të ndryshme e ngacmuese e që e nxjerrin më në pah historinë e personazhit kryesor të shfaqjes, Zekës, një ish luftëtari idealist, të traumatizuar dhe me shumë pa kënaqësi për rrethanat e reja në Kosovën e pasluftës.

“Bretkosa” është tekst nga autori i brezit të ri kroat, Dubravko Mihanović nga Zagrebi dhe është fitues i shume shpërblimeve.

Regjisorja tregon se kjo dramë psikologjike vjen edhe me elemente komike. “Është rrëfim për të gjithë njerëzit e ditëve të sotme, që jetojnë në kohën e keqkuptimeve dhe vetmisë në kërkim për dashurinë, jetën kuptim plotë. Të atyre qe sakrifikuan jetën për liri dhe liria ishte e brisht për ta”, thotë Berisha për “Kosovaren”, duke shtuar: “Teksti i shfaqjes pothuajse në mënyrë kronologjike diagnostikon kohën në të cilën jetojmë, sjell karaktere që nuk munden dot të përballen me presionin e kohës, realitetin e ri, devalvimit të vlerave , jetës në përgjithësi. Drama merret me problemet e kohës së sotme që janë të njëjta ose të ngjashme në Bosnje dhe Herzegovinë, Kroaci në Kosovë, pothuajse në të gjitha shtetet post konfliktit . Kjo shfaqje parqet një gërshetim në mes mungesës së komunikimit dhe pamundësisë për të dëgjuar mendimin e dikujt tjetër. Ky rrëfim ka një pasqyrim të asaj se çdo herë kërkohet fajtori dhe akuza drejtohet kah sistemi në të cilin jetojmë , në proceset politike dhe sociale, personazhet frymojnë dhe bashkëjetojnë me realitetin dhe janë në luftë të përhershme me veten e tyre për të bërë ndryshime. Ne duhet të luftojmë me fatin tonë për ta sfiduar realitetin e ri, në vend se të ankohemi vetëm për të”.

Barra e rolit kryesor i është besuar aktorit të mirënjohur Ilir Tafa, i cili ka realizuar mjeshtërish këtë rol me ngarkesë të jashtëzakonshme emocionale dhe fizike. Interpretimi i tij briliant ka lënë gojëhapur të pranishmit në Teatrin Kamertal të “AAB”-së. Ilir Tafa e ka dëshmuar edhe një herë madhështinë e tij në skenë përmes interpretimit të Zekës, i cili bart peshën e madhe të përjetimeve të luftës në realitetin e sotshëm. Aktori me karrierë të gjatë e të sukseshme brenda dhe jashtë vendit, është shpërblyer me duartrokitjen e gjatë të publikut të emocionuar.

E, Donat Qosja përmes rolit në “Bretkosa”, e dëshmon edhe një herë gjithë afinitetin e tij artistik. Loja e tij profesionale dhe natyralitetinnë skenë ka lënë të mahnitur publikun dhe kritiken.

Pjesë e kësaj shfaqje ishin edhe Basri Shala e Valmir Krasniqi, që me lojën e tyre kanë shkëlqyer në skenë./Kosovarja/