Ç’program festiv shikuam për Vitin e Ri 2019?

Programi festiv për Vitin e Ri 2019 – më i shijuari ai me “qajurie-shukarie”! Pra, arritëm edhe deri këtu! Keq, a?!

Televizionet kombëtare të Kosovës kanë dështuar të ofrojnë programe cilësore në përputhje me karakterin festiv të ndërrimit të moteve për vitin 2019.

Dikur në Kosovë ishte vetëm një televizion, ai i TVP-së, por shikuesi kishte më shumë mundësi të shijimit të programit të larmishëm sesa që ka tash me tre televizione kombëtare dhe me shumë të tjerë rajonalë! Sepse, televizioneve kombëtare në Kosovë sot u mungon kultura skenike dhe planifikimi dhe mund të thuhet se gjendja e mjerueshme që prezantuan me rastin e Vitit të Ri 2019 është adekute me nivelin e mjerueshëm institucional të kulturës që ka sot shteti ynë.

Andaj, edhe nuk është çudi që sot të gjitha televizionet kombëtare që kemi në Kosovë, sa i përket kulturës skenike, nuk bëjnë sa një ish-TVP, që e kemi pasur dikur, qoftë edhe me një tresh humoristik “Treshi përsheshi”, me Lecin, Cimën dhe Qumilin. Por, pa dyshim, edhe me aktorët e tjerë të humorit, e të mos flasim për aktorët e pazëvendësueshëm: Xhevat dhe Leze Qenën, Adem Mikullovcin, Malo Gamin, Ragip Loxhën, Shani Pallaskën, e shumë të tjerë, që nuk do të kompensohen kurrë nga brezi i ri…

Andaj, sot, nuk habitemi edhe aq me varfërinë e programeve televizive që na ofruan për këtë fundvit moderatorët aktualë, kur dihet fakti se shumica e tyre janë bastardë të gjuhës shqipe, për të mos thënë njerëz që s’kanë lexuar, madje, asnjë roman gjatë jetës së tyre!

Dhe, nuk më habiti sot aspak im mik, i cili, teksa bisedonim për këtë temë dhe pinim kafenë e mëngjesit, më tha se më me ëndje i shikova disa videokaseta të vjetra sesa të nevrikosesha me programin aktual televiziv…

Konkretisht, brezi i vjetër i këngëtarëve që patëm rastin t’i shohim e dëgjojmë në programin festiv janë plakur dhe s’kanë çka të ofrojnë më shumë, ndërkaq brezi i ri, me disa përjashtime, s’dinë as vetë se çka këndojnë!

Andaj, edhe nuk habit fakti se, ndoshta, dikush më me ëndje do dëgjonte një “qajurie-shukarie” sesa një këngëtar të sotëm, i cili më shumë reciton sesa këndon!

Safet Krivaça (Kosovarja)