Festë, muzikë e drita për varrimin e murgut

 

Mijëra besimtarë janë mbledhur në një pallat në Myanmar, që shndrinte me ngjyra të shumëllojshme, për të kërcyer, kënduar dhe për ti bërë respektin e fundit një murgu të njohur në vend.

Abbot Kay Lar Tha ishte vetëm 48 vjeç kur vdiq vitin e kaluar nga leucemia në fshatin Mudon, në juglindje të vendit.

Dhe ndjekësve të tij besnikë iu deshën 9 muaj për të mbledhur 80.000 dollarë të nevojshme për ti bërë një ceremoni madhështore varrimi.

Një shumë e tillë konsiderohet mjaft e madhe në një nga vendet më të varfra të Azisë, ku një e treta e njerëzve jetojnë në varfëri.

Pelegrinët veshën rrobat më të mira për ti bërë homazhe murgut në një pallat të ndërtuar vetëm për këtë rast nga dru bambuje, që kushton rreth 33.000 mijë dollarë.

Ndërtesa disa katëshe shndrinte nga dritat e shumëllojshme.

“Ai është një hero në fenë tonë dhe ne jemi të mërzitur nga humbja e tij,”-tha një besimtare.

Udhëheqësit budistë kanë ndikim të konsiderueshëm në shoqërinë e Myanmarit, pasi sigurojnë arsim për fëmijët, zgjidhin mosmarrëveshjet lokale dhe ndihmojnë në mbledhjen e parave për rregullimin e rrugëve.

Për 7 ditë, njerëzit u ngjitën në shkallët e pallatit të improvizuar, për të parë trupin e murgut që qëndronte në një arkivol të hapur, fytyra e tij ishte mbuluar me një maskë, ndërsa veshjet ishin në ngjyrë të kuqe të fortë, me qëndisma floriri.

Festimet arritën pikën e tyre kulmore në kohën kur arkivoli u dërgua në dhomën e kremtimit, në ish-manastirin e 48-vjeçarit. Momenti i djegies së trupit u shoqërua me lëshimin e qindra fenerëve kinezë e me fishekzjarrë.

/Ora News.tv/