Klopp për kontratën e Salah: Të firmosësh kontratën nuk është si të blesh një ‘smartphone’

Mohamed Salah vazhdon te jetë një çështje e pazgjidhur te Liverpooli sa i përket kontratës së tij të re.

Egjiptiani ditë më parë ia lëshoi ‘topin’ klubit duke thënë se ata e dinë çfarë duhet të bëjnë dhe se ai nuk po kërkon diçka të çmendur për t’ia plotësuar kushtet.

Në anën tjetër, Klopp vazhdon të mbetet i qetë rreth kësaj çështje, megjithatë ai ka bërë një krahasim interesant.

I pyetur përsëri për kontratën e re të Salah, gjermani u përgjigj: “Të firmosësh një kontratë të madhe, nuk është si të blesh një smartphone ku firmos vetëm një gjë dhe ajo është bërë”, tha Klopp.

“Nuk do të thosha se ka ndonjë problem, të jem i sinqertë – këto janë biseda. Ka shumë gjëra për t’u marrë parasysh”, shtoi ai.

Raportohet se Liverpooli nuk është i gatshëm që t’ia përmbushë kërkesat egjiptianit, dhe mund të ndodhë lehtë që egjiptiani edhe të largohet nga Anfield në verë. /Lajmi.net/