Lindi fëmijë në gjendje kome, arrestohet përdhunuesi i pacientes

 

Një infermier në Arizona është akuzuar për sulm seksual pasi një paciente në koma që ishte nën kujdesin e tij lindi një fëmijë.

I dyshuari është identifikuar si Nathan Sutherland, 36 vjeç, i cili ka punuar në klinikën Hacienda Healthcare.

Pacientja 29-vjeçare ka qenë nën kujdesin e klinikës që kur ishte fëmijë.

Ajo solli në jetë fëmijën më 29 dhjetor, ndonëse është në gjendje vegjetative prej 14 vitesh.

Stafi i klinikës tha se nuk ishin në dijeni se pacientja ishte shtatzënë derisa lindi djalin.

Foshnja tani është nën kujdesin e familjarëve të pacientes, e cila raportohet se nuk ka probleme pas lindjes.

“Ne nuk mund të zgjedhim sesi vijmë në këtë jetë, por si komunitet mund të zgjedhim ta duam këtë fëmijë,”-tha për gazetarët polici Tommy Thompson.

Si u arrestua infermieri?

Shefi i policisë së Phoenix, Jeri Williams tha se Sutherland u identifikua nëpërmjet një metode të vjetër policie.

Pas lindjes së foshnjes, nisën hetimet për sulm seksual, pasi gjendja e 29-vjeçares e bën atë të paaftë për të dhënë aprovimin për kryerjen e marrëdhënieve seksuale.

Sutherland dha një mostër të ADN-së me urdhër të gjykatës. Testi tregoi se ADN-ja e tij përshtatej me atë të fëmijës.

Ai u akuzua për sulm seksual dhe abuzim me një të rritur të paaftë.

“Këtë arrestim i detyrohemi viktimës së abuzimit,“-tha Shefi Williams. “I detyrohemi anëtarit më të ri të komunitetit tonë, atij fëmije të pafajshëm.”

Policia po heton gjithashtu nëse Sutherland ka sulmuar pacientë të tjerë.

Sutherland është infermier i licencuar dhe punoi në klinikën Hacienda Healthcare që nga viti 2011, thanë autoritetet.

Në kohën e sulmit ai ishte përgjegjës për tu kujdesur për gruan.

Të mërkurën, ai doli në gjykatë dhe u lirua me kusht për 500,000 dollarë.

/Ora News.tv/