Lajme

Papa Françesku do të udhëtojë në Mongoli nga 31 gushti deri më 4 shtator

Françesku do të jetë Papa i parë që do të shtegtojë në vendin aziatik, në kufi me Rusinë dhe Kinën, vend me stepa të mëdha, me kontraste klimatike dhe urbane. Bashkësia katolike atje ka rreth 1300 të pagëzuar. Vitin e kaluar Papa krijoi kardinal të riun Giorgio Marengo, prefekt apostolik i Ulan Batorit. Françesku ka shprehur shpesh dëshirën për ta vizituar vendin! Sot vendosi!

R. SH. – Vatikan

E kishte parashikuar në disa raste, duke shprehur dëshirën për të shkuar në vendin e stepave të mëdha, ndërmjet Rusisë dhe Kinës, ku katolikët janë 2% e popullsisë e ku vitin e kaluar krijoi kardinalin e parë, misionarin e ri Giorgio Marengo. Sot, 3 qershor, lajmi: Papa Françesku do të shtegtojë në Mongoli nga 31 gushti deri më 4 shtatorin e ardhshëm. Do të jetë shtegtimi i 43-të apostolik ndërkombëtar i papnisë.

Lajmin e dha drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Matteo Bruni, duke kujtuar ftesën e marrë nga “autoritetet civile dhe kishtare” dhe faktin se “programi e hollësitë e tjera do të komunikohen gjatë javëve në vijim”.

Në tokën e Genghis Khanit

Po studiohej prej kohe mundësia për një shtegtim në këtë tokë – perandori e Genghis Khan në imagjinatën kolektive – pesë herë më e madhe se Italia, me vendin e dytë në renditjen e viseve më pak të populluara në botë, me kontraste të mëdha klimatike (+40° në verë, -40° në dimër), vend i nomadëve dhe barinjve, ku një e treta e popullsisë jeton në kushtet e varfërisë. Vetë Françesku e ka kujtuar qëllimin e tij për ta vizituar, gjatë disa bisedave në aeroplan ose në seancat publike. Përveç kësaj kardinali Marengo, misionari i Zojës Ngushëlluese dhe prefekt i kryeqytetit Ulan Bator, në moshën 48-vjeçare, më i riu i Kolegjit të Kardinajve pas Koncistorit të gushtit 2022 pati njoftuar se e kishte ftuar Papën Françesku për të vizituar vendin dhe bashkësinë e vogël katolike, por plot gjallëri: rreth 1450 të pagëzuar ndërmjet 3.5 milionë banorëve.