Qumështi, i njohur gjerësisht për përmbajtjen e tij të kalciumit dhe vitaminës D, duket se ofron edhe një përfitim më pak të njohur: përmirësimin e shëndetit të zorrëve.
Një studim i publikuar së fundmi në faqen shkencore MDPI, i udhëhequr nga Dr. Li Jiao nga Kolegji i Mjekësisë Baylor, tregon se konsumi i rregullt i qumështit lidhet me një rritje të baktereve të dobishme në zorrë, duke përfshirë Faecalibacterium dhe Akkermansia, të njohura për efektet anti-inflamatore dhe ndikimin pozitiv në kontrollin e peshës dhe sheqerit në gjak.
Sipas autorëve, qumështi ndihmon në diversifikimin e mikrobiomës, komunitetit të mikroorganizmave që luajnë rol kyç në tretje, imunitet dhe mirëqenie të përgjithshme.
Në të kundërt, produktet e tjera të qumështit, si djathi, shoqërohen me rënie të disa mikrobeve të dobishme, ndonëse u vërejt një rritje e mundshme e Bifidobacterium, një grup probiotikësh të njohur.
Megjithëse kosi shpesh reklamohet si burim probiotikësh, studimi nuk gjeti lidhje domethënëse mes konsumit të tij dhe përmirësimeve në mikrobiomë.
Shkencëtarët theksojnë se kjo mund të jetë për shkak të konsumit të ulët të kosit nga pjesëmarrësit, ndaj nevojiten kërkime më të zgjeruara në këtë drejtim.
Ekspertët sqarojnë se përmbajtja më e lartë e laktozës në qumësht, krahasuar me djathin, mund të ndihmojë në ushqimin e baktereve të mira në zorrë. Nga ana tjetër, vetitë e fermentuara të djathit ndikojnë ndryshe në ekuilibrin mikrobik.
Studimi përfshinte vetëm 34 persona, kryesisht burra të moshuar, dhe përdori pyetësorë ushqimorë, çka lë vend për pasaktësi. Megjithatë, gjetjet janë premtuese.
“Qumështi mund të ndikojë në shëndetin e trupit përmes ndryshimeve në mikrobiomën e zorrës së trashë,” thekson Dr. Jiao. Ai njoftoi se ekipi i tij po planifikon studime më të mëdha për të kuptuar më mirë rolin e produkteve të qumështit dhe ndërveprimin e tyre me lëndët ushqyese dhe mikrobet në sistemin tretës. Syri.net-iefimerida
