Quhet “Gentiana”, njihuni me vetitë e mrekullueshme të bimës mjekësore

 

E njohin si bar zemre, sanëz, kërrsanëxë, sancë, ksane, raven, lincurë – por emrin e ka Gentiana. Emri i kësaj bime vjen nga Mbreti i Ilirisë, Genti, vendi i të cilit është djepi i shqipeve. Bëhet fjalë për një barishte të hidhur që vjen nga bima e verdhë me emrin botanik Gentiana lutea.

Ajo gjendet në malet shtatlartë të Shqipërisë dhe në shpate që ngrihen mbi 1000 metra lartësi. Ilirët ishin të parët që përdorën këtë bimë për të ulur temperaturën dhe për të shëruar një sërë problemesh shëndetësore. Rrënjët e Gentianës mblidhen në pranverë ose në vjeshtë nga bimët mbi dy vjeçare, shkruan AgroWeb.

Kurat mjekësore kanë nevojë për rrënjë të thara nga dielli ose të ruajtura në vende të thata. Rrënjët e Gentianës janë të mbrojtura me ligj në shumë vende të botës, ku ndalohet tërësisht mbledhja e tyre në natyrë.

Megjithatë në Shqipëri, këto bimë të egra janë lehtësisht të këputshme nga njeriu. Kjo bimë shqiptare ka gjetur rrugën e saj në mbarë botën, madje ka çelur deri në Kinë që tashmë është kthyer në prodhuesin më të madh të kësaj bime në rang botëror.

Krenaria shqiptare përdoret në shumë mënyra

Përdorimi më popullor i bimës është si përbërës aktiv i rakisë së sanzës, një pije tradicionale e Koplikut të Shkodrës që kushton 600 lek/litri.

Gentiana gjendet edhe në Theth, Bogë, në Malësitë Mbi Shkodër, në Vuthaj dhe Guci, në toka malore natyralisht organike.

Përdorimet e rrënjëve të Gentianës në mjekësi

Sistemi tretës. Gentiana është një nga kurat më të mira për problemet me stomakun. Ajo këshillohet të konsumohet në formën e çajit.

Mëlçia. Gentiana mund të përdoret për t’i ardhur në ndihmë mëlçisë dhe për të ndihmuar organizmin të funksiojë kur ky organ has në vështirësi.

Përdorimi i kësaj bime parandalon verdhëzën, akumulimin e lëngjeve, lodhjen etj. Tresni 0,2% rrënjë Gentiana në ujë për disa ditë.

Tiroidet. Gentiana ka përbërës që ndihmojnë në prodhimin e hormoneve të tiroides. 0,2% e rrënjës së Gentianës duhet tretur në ujë për disa ditë.

Kullojeni mirë dhe përzijeni lëngun me 400 gramë mjaltë. Pini nga pak çdo ditë.

Sipas kërkimeve të ekspertëve të AgroWeb.org, bima përdoret si pastruese gjaku. Ajo largon toksinat dhe papastërtitë nga qarkullimi i gjakut.

Mjafton gjysëm luge gjelle me rrënjë të thatë në një filxhan ujë për 10 minuta. Kullojeni mirë dhe konsumoni dy filxhanë në ditë.

Rënia e flokëve. Falë përmbajtjes së lartë të zinkut, Gentiana është pjesë e shumë solucioneve për parandalimin e rënies së flokëve, por edhe të zbokthit.