Viti 2019 erdhi në disa pjesë të botës

Viti i ri trokiti së pari në Samoa dhe Kiribati.

Prej vitesh tashmë ishulli i vogël i Samoas, me më pak se 200 mijë banorë, është i pari që çel festimet dhe kjo që në kohen kur zgjodhi që ta kapërcente kufirin e datës së Paqësorit, duke e çuar 24 orë përpara.

Menjëherë pas tij, fishekzjarrët shpërthyen në një spektakël magjik në Auckland të Zelandës së Re. Por më madhështori nga të gjithë si spektakli piroteknik, mbetet ai i Sidneit, në Australi.

Qielli i pastër lejoi vjet shijimin maksimalisht të ujëvarës së dritave dhe ngjyrave të atij që konsiderohet si spektakli më i avancuar teknologjikisht. Por këtë radhë, qielli i ka tradhtuar kremtuesit; një rrebesh shiu u përplas mbi mijëra njerezit e grumbulluar në Gjirin e Sidneit, i shoqëruar edhe nga vetëtima e rrufe, duke detyruar anulimin e një spektakli ajror në zonë.

Në Rusi, disa nuk kanë pritur mbërritjen e vitit të ri, por i kanë nisur kremtimet me zhytje në ujërat e akullta në një plazh të Vladivostokut.

Në Londër, turma të mëdha njerëzish do ta presin ndërrimin e viteve në brigjet e lumit Tamiz; ndër vendet e fundit të globit që presin trokitjen e vitit të ri do të jenë ishujt amerikane Baker dhe Hauland Island, ku 2019-ta mbërrin mesditën e 1 janarit me orën evropiane.