Lajme

Berisha publikon pamjet: Terror në Shkodër për zgjedhjet vendore

Sali Berisha ka dalë në konferencën e zakonshme me gazetarët, teksa i është rikthyer sërish zgjedhjeve vendore të 14 majit.

Kryedemokrati ka publikuar pamje ku pretendon se mandati i Bashkisë së Shkodrës është i ndikuar nga grupe kriminale. Në fjalën e tij para gazetarëve, Berisha ka thënë:

Bajrët kanë vrasësit e tyre të fjalës së lirë edhe në media, përveç Taulant Ballës dhe Edi Ramës. Një nga një, këto do zbërthehen. Por sot ne ju paraqesim ju, terrorin që ata ushtruan më 14 maj, në qytetin e lirisë, në qytetin e Shkodrës, për të grabitur mandatin e qytetarëve të Shkodrës. Ju ftoj të ndiqni këtë dokumentar horror, 24 minuta. Keni durim, por tregon të gjithë dramën elektorale të qytetit. Me emër, mbiemër, me targa, me makina. Qarkullimi që bënë këta gjatë ditës me makina.

Më falni, harrova të them se përveç Beharit dhe Denisit, Safeti edhe ai u nxor nga burgu menjëherë, se kishte pasur qëndrim të mirë, dhe u dërgua te banda para zgjedhjeve.

Një moment dua t’ju sqaroj këtu. Nuk ka qenë e mundur të disponohen videot e të gjithë udhëtimit, të gjithë terrorit nëpër të gjithë Shkodrën, sepse njerëzit kanë frikë të japin videot. Këto video kemi mundur të sigurojmë dhe këto video ua paraqitëm ju, të cilat tregojnë qartë se çdo gjë mund të ishte në Shkodër, përveçse votim jo. Mandati i Bashkisë së Shkodrës është mandat i Bajrëve dhe ne kurrë nuk do e pranojmë. Ne u deklarojmë shqiptarëve dhe në radhë të parë qytetarëve të Shkodrës, se motiv themelor për betejën tonë pa kthim, është rikthimi i votës së lirë, vota e qytetarëve pa terror të bandave kriminale, vota pa blerje masive të votës, vota e qytetarëve shqiptarë, njëlloj si qytetarë të vendeve të lira.

Është një betejë jo e lehtë, por është betejë që ne e fitojmë. I garantoj qytetarët se ne do e fitojmë këtë betejë dhe do u japim mundësi që të votojnë në dinjitet të plotë”.