Lajme

Çuçi i bindur për skenar: Opozita nuk ishte regjistruar, erdhi qëllimisht për sherr

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi është shprehur i bindur se konflikti dhe gjithë çfarë ndodhi në seancën plenare në Kuvend, ka qenë një skenar i përgatitur nga deputetët opozitarë.

Në oborrin e jashtëm të Kuvendit, kreu i grupit socialist tha se sot në seancë do të diskutohej për javën e gjelbërt dhe problemet e elektoratit, por deputetët e opozitës nuk ishin regjistruar për të folur. Në këto kushte, Çuçi tha se skenari i sherrit ka qenë i përgatitur.

“Ju dhe gjithë shqiptarët ishit dëshmitarë të një skene aspak të pranueshme, qoftë edhe për një vend si Shqipëria që ka pas një fazë tranzicioni të gjatë, por që tashmë është një shtet demokratik që po konsolidohet përditë. Ju e patë që çfarë skenari kishin përgatitur kolegët e opozitës.

E them me bindje që ishte skenar, sepse sot ishte seanca që ne shprehim shqetësimet që marrim nga java e gjelbërt. Asnjë nga grupi opozitar nuk ishin regjistruar më përpara për të folur, ishin përgatitur për këtë skenar.

Është i qartë skenari i tyre për të prishur seancat solemne, por ju garantoj që kjo gjë nuk do të ndodh. Ne do shqyrtojmë projektligjet që janë në të mirën ne avancimit të Shqipërisë në BE”, u shpreh socialisti Bledi Çuçi.