Lajme

Familjarët kërkuan zhvarrosjen, trupi i Liridonës do të rivarroset nesër

Pas kërkesës së vëllait të Liridona Ademajt, e cila u vra nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, shteti i Kosovës ka aprovuar kërkesën për zhvarrosjen e trupit të saj.

Si rezultat rivarrimi i 33-vjeçares, do të bëhet nesër në orën 14:00 në fshatin Rracaj, në vendin ku ajo ka lindur dhe jetojnë familjarët e saj.

“Njoftim mortor nga familja Ademaj. Familja Ademaj njofton miq,shokë e dashamir se rivarrimi i vajzes tonë Liridona Ademaj e vrarë me daten 29.11.2023 behet neser me datë 4 dhjetor 2023 me varrezat e fshatit Rracaj ne ora 14:00”, thuhet në njoftim.

Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve, u vra barbarisht mbrëmjen e 29 Nëntorit në Prishtinë. Ajo ishte duke udhëtuar me bashkëshortin dhe dy fëmijët me makinën e tyre, kur persona të maskuar i kanë grabitur dhe gjatë këtij akti, kanë vrarë Liridonën.

Pas ngjarjes, Policia e Kosovës njoftoi zbardhjen e saj, duke arrestuar porositësin e vrasjes, vrasësin dhe një anëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Granit Plava, personi i akuzuar për vrasjen dhe Kushtrim Kokalla, anëtar i FSK-së janë tre të arrestuarit.

Bashkëshorti i Liridonës dhe bashkëfshatari i tij Granit Plava, kanë pranuar se janë ata porositësi dhe ekzekutor. Madje, Granit Plava ka deklaruar para hetuesve se ai është paguar 30 mijë euro për të vrarë gruan e ish-këshilltarit të politikanit Behgjet Pacolli. Paratë, 15 mijë euro Naim Murseli i ka dhënë para ngjarjes dhe 15 mijë euro të tjera pas saj.

Ndërkohë, ditën e sotme Gjykata e Prishtinës la në burg NMaim Murselin dhe dy të tjetër. Ata do të qëndrojnë në paraburgim, ndersa hetimet për ngjarjen po vijojnë.

Në një deklaratë për mediat vëllai i të ndjreës tha: Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu.