Lajme

“Fëmijët nuk e dinë se u ka vdekur nëna”, vëllai i Liridonës: Besojmë në drejtësi

Gjykata e Prishtinës vendosi sot masën paraburgim me 30 ditë për Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën, të tre të përfshirë në vrasjen barbare të Liridona Ademajt.

Naim Murseli porositi vrasjen e bashkëshortes së tij, Lirdona Ademaj. Ai i premtoi 30 mijë euro Granit Plavës për t’i vrarë gruan. Familjarë të Liridonës nuk janë lejuar të marrin pjesë në seancën e parë gjyqësore.

Vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj, ka thënë se është njoftuar që duhet të bëjë kërkesë për të marrë pjesë në seancat e radhës. Ai ka thënë se i ka dorëzuar kërkesë Prokurorisë për zhvarrosjen e trupit të Liridonës dhe rivarrosjen afër varrezave të shtëpisë së prindërve të saj.

“Liridona është vrarë në mënyrën më mizore, në mënyrën më makabre që mund të jetë. Liridona ishte grua e fuqishme, motër e fuqishme dhe nënë e fuqishme. Doli të bëhet edhe heroinë për fëmijët e vet. Ne po e përmbajmë veten, sepse ajo nuk donte të na shihte neve kurrë kështu“, ka thënë vëllai i saj, pas seancës.

Ai tha gjithashtu se beson që autoritetet e Kosovës do të vendosin drejtësi në këtë rast.

Leonardi foli edhe për fëmijët e motrës së ndjerë. Ai tha se fëmijët aktualisht janë me prindërit e Naim Murselit, dhe se familja e tij nuk ka insistuar për t’i marrë, për shkak të gjendjes së rënduar emocionale.

Ai tha se fëmijët nuk e kanë kuptuar ende që nëna e tyre ka ndërruar jetë.

“Me fëmijët kemi pasë kontakt. Shoqata sociale ka ardhur dhe ka qenë edhe te ata, që fëmijët janë mirë dhe mos keni merak për ta. Ata nuk kanë telefona që ne me komuniku me ta sepse janë të vegjël. Kujdesin e tyre e kanë gjyshja dhe gjyshi i tyre (prindërit e Naimit). Kanë ardhur e na kanë pyet. Te ne është gjendja shumë katastrofale dhe fëmijët s’e kanë kuptu hala që nana ka vdekë dhe me ardhë te ne e kanë më të lehtë me e kuptu se çka është duke ndodhur. I kemi lënë te ata sepse janë edhe fëmijët e vëllait të Naimit dhe po e kalojnë kohën me ta pa e kuptu”, tha ai.

Liridona Ademaj dhe bashkeshorti qe porositi vrasjes, Naim Murseli
Liridona Ademaj dhe bashkeshorti qe porositi vrasjes, Naim Murseli

Liridona Ademaj, nënë e dy fëmijëve, u vra barbarisht mbrëmjen e 29 Nëntorit në Prishtinë. Ajo ishte duke udhëtuar me bashkëshortin dhe dy fëmijët me makinën e tyre, kur persona të maskuar i kanë grabitur dhe gjatë këtij akti, kanë vrarë Liridonën.

Dy ditë më parë, Policia e Kosovës njoftoi zbardhjen e ngjarjes, duke arrestuar porositësin e vrasjes, vrasësin dhe një anëtar të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës, Granit Plava, personi i akuzuar për vrasjen dhe Kushtrim Kokalla, anëtar i FSK-së janë tre të arrestuarit.

Bashkëshorti i Liridonës dhe bashkëfshatari i tij Granit Plava, kanë pranuar se janë ata porositësi dhe ekzekutor. Madje, Granit Plava ka deklaruar para hetuesve se ai është paguar 30 mijë euro për të vrarë gruan e ish-këshilltarit të politikanit Behgjet Pacolli. Paratë, 15 mijë euro Naim Murseli i ka dhënë para ngjarjes dhe 15 mijë euro të tjera pas saj.

Granit Plava ka pranaur se ka marre 30 mije euro nga Naim Murseli, qe te vriste gruan e tij, Liridonen
Granit Plava ka pranaur se ka marre 30 mije euro nga Naim Murseli, qe te vriste gruan e tij, Liridonen

Edhe vetë bashkëshorti i viktimës, ka pranuar në Policinë e Kosovës se ka porositur vrasjen e gruas. Dyshime për rastin u ngritën menjëherë pas dëshmisë që kanë dhënë familjarët e viktimës dhe vetë Naim Murseli, në media dhe para hetuesve. Ai ndodhej në makinë bashkë me Liridonën dhe dy fëmijët, por çuditërisht grabitësit e armatosur u përleshën vetëm me gruan dhe jo me kryefamiljarin.

“Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Kushtrim Kakolla, efektivi i FSK-se i arrestuar gjithashtu per vrasjen, nip i Naim Murselit
Kushtrim Kakolla, efektivi i FSK-se i arrestuar gjithashtu per vrasjen, nip i Naim Murselit

Lidhur me vrasjen e Liridona Ademaj është arrestuar edhe Kushtrim Kokalla, që raportohet të jetë nipi i Naim Murselit. Ai është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe kjo është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes, por nuk dihet saktësisht roli i tij.