Gjykata Kushtetuese i ka dhënë përfundimisht dritën jeshile ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës.
Ky projekt dhe proçedura e ndjekur nga qeveria me kompaninë Bechtel International u dërgua në gjykatë, aty ku kërkesa për të pezulluar punimet është rrëzuar.
Pak kohë më parë nisjen e punimeve e vizitoi edhe ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim sëbashku me Ministren Belinda Balluku.
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, sot në datën 26.06.2023, pasi mori në shqyrtim paraprak çështjen me nr. 7 (Sh) 2023 të Regjistrit Themeltar, me kërkues shoqata “Kundërshtimi ndaj digës së Skavicës”, me objekt: “Shfuqizimi i ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Shfuqizimi i vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit. Pezullimi i zbatimit të ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës” dhe të vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited” derisa vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese të hyjë në fuqi”, në mbështetje të nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe neneve 11, pika 3, shkronja “f” dhe 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese,
VENDOSI:
1. Rrëzimin e kërkesës për pezullimin e zbatimit të ligjit nr. 38/2021, datë 23.03.2021 “Për përcaktimin e procedurës së veçantë për negocimin dhe ekzekutimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel International Inc.”, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës” dhe të vendimit nr. 485, datë 30.07.2021 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e kontratës së fazës së parë “Kontratë për shërbime teknike – projekti hidroenergjetik i Skavicës” ndërmjet KESH sh.a. dhe Bechtel Limited”.
Padia për pezullimin e punimeve dhe shpalljen antikushtetues të kontratës u bë nga Shoqata “Për kundërshtimin e projektit Skavica” .