Lajme

Malli në “Banaking”, Gjykata e Lartë refuzon lirimin e administratorit, pronari në arrati

Gjykata e Lartë ka refuzuar kërkesën për liri të administratorit të kompanisë “Zico”, Petrit Demishaj, i dyshuar se është përgjegjës për trafikimin e 33 kilogramë kokainë, të gjendur në kontenierin me “Banaking”, në nëntor të vitit 2022. Pak ditë më parë, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë arriti në konkluzionin se Demishaj duhet të qëndrojë në qeli, pasi ekziston ende rreziku që ai mund të prishë apo të dëmtojë provat e hetimit që po zhvillohet nga Prokuroria e Durrësit.

Petrit Demishaj u arrestua në 21 nëntor të vitit të kaluar, pasi policia zbuloi 33 kg kokainë të pastër në një prej kontenierëve me banane që vinte nga Ekuadori, me destinacion shoqërinë “Zico”.

Në atë rast, policia arrestoi edhe dy punonjës të kompanisë së skanerit të Portit të Durrësit, “Rapiscan”, konkretisht Alban Neziraj dhe Artur Sevdaraj. Ndërkohë, është shpallur në kërkim pronari i “Zico Company”, Trifon Murataj, për të cilin prokuroria dyshon se ai është organizatori i trafikut të narkotikëve.

TS Poll - Loading poll ...

Kompania dhe personat e arrestuar kanë mohuar përfshirjen në trafikun e kokainës nga Ekuadori në Shqipëri. Por, deri më tani, autoritetet hetimore dhe gjyqësore vijojnë të kenë dyshime se ata janë të përfshirë në trafik.

Administratori në burg
Në 11 Maj 2023, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën për lirimin nga burgu të administratorit të “Zico” sha, Petrit Demishaj.

Sipas kolegjit penal, duhet të qëndrojnë në fuqi vendimet e gjykatës së shkallës së parë dhe të Apelit të Durrësit, të cilat kanë vendosur masën e sigurimit “arrest me burg” për Demishaj.

Në datë 03.11.2022, rreth orës 14:15, gjatë kontrollit të ushtruar nga ana e punonjësve të policisë kufitare, Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Njësisë së Kontrollit të Kontejnerëve, në Portin Detar Durrës, konkretisht në kontejnerin e kompanisë “Zico” Sha, me administrator shtetasin Petrit Demishaj, të ngarkuar me banane, ndodhur në terminalin e kontejnerëve është konstatuar se, në brendësi të tij, në dy kuti, ndodheshin 31 pako të mbështjella me plasmas transparent dhe me banane të hedhura sporadikisht përsipër.