Lajme

Napoli ktheu pas jahtin e multimiliarderit Arnault, mediat: Ai shpenzon 44 mijë euro në ditë vetëm për lule dhe mish “Kobe”

Një debat i madh ka shpërthyer në Itali, pasi autoritetet portuale të Napolit vendosën të mos lejojnë ankorimin e mega-jahtit të njeriut të dytë më të pasur në botë, manjatit të modës Bernard Arnault.

Shkak u bënë rregullat e reja të sigurisë të vendosura këtë vit, që nuk lejojnë ankorimin e anijeve më të mëdha se 75 metra, ndërsa jahti i Arnault është plot 102 metra i gjatë.

Sipas Forbes, Arnault është njeriu i dytë më i pasur në botë me një pasuri totale prej rreth 222 miliardë dollarësh. Ai është pronar i LVMH, një kompani shumëkombëshe që përfshin markat e famshme Christian Dior, Bulgari, Fendi, Givenchy, Louis Vuitton, Tiffany, Moët & Chandon, Veuve Clicquot.

Por pavarësisht kësaj, Arnault mori një “jo” nga autoritetet napoletane kur tentoi të ankorohej me jahtin e tij “Symphony”.

Shumë ekspertë të turizmit në Itali janë shprehur kundër këtij vendimi. Ata thonë se turizmi italian po goditet në kulmin e tij, teksa Arnault tashmë është nisur të gjejë shtete të tjera ku e pranojnë.

Sipas mediave italiane, shpenzimet ditore të Arnault përllogariten në 44 mijë euro. Sipas Corriere della Sera, të ftuarit VIP në jahtin e tij zakonisht bëjnë porosi nga jashtë ndër to lule të shumta, e deri te mishi special japonez “Kobe”. Ata gjithashtu bëjnë blerje në dyqanet luksoze, prenotojnë në restorantet më të njohura si dhe marrin shërbime estetike deri në 10-fishin e çmimit që paguajnë zakonisht, ku një manikyr, masazh apo parukier mund të kushtojë mbi 300 euro.

8 deri në 10 mijë euro jahti i shpenzon për blerjet ditore, ndërsa vetëm për lule që përdoren për dekorimin e jahtit shpenzohen 15 mijë euro, duke patur parasysh se porositen varietet të ndryshme, përfshi edhe lulet orkide. Vlen të theksohet se një mega-jaht i tillë shoqërohet nga të paktën 10 minivarka. Me siguri një humbje e madhe për ekonominë napoletane.