Lajme

Pamjet nga aksidenti në Shkodër, makina e bërë “petë”,të rejat shpëtojnë për mrekulli

Një aksident i rëndë u shënua pasditen e sotme në fshatin Zues në Shkodër. Si pasojë mbetën të plagosur tre persona, dy pasagjeret dhe shoferja e mjetit. Policia më herët njoftoi se shoferja 27-vjeçare me iniciale E.G. ka humbur kontrollin mbi mjetin që po drejtonte dhe si pasojë, automjeti u përplas me një shtyllë anash rrugës.

Efektivët e policisë menjëherë shkuan në vendin e ngjarjes ku fillimisht bënë të mundur nxjerrjen nga mjeti të dy pasagjerëve, 21-vjeçarja me iniciale A.D. dhe 21-vjeçarja me iniciale B.G.

Ndërsa, shoferja e mjetit qëndroi me orë të tëra e bllokuar. Zjarrfikësit dhe efektivët e policisë arritën ta nxjerrin dhe tashmë ndodhet në spital, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Shkodër/Informacion shtesë

Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për aksidentin e ndodhur në fshatin Zues, për një automjet që ishte përplasur me një shtyllë elektrike, në anë të rrugës, ju informojmë se shtetasja E. G., është  nxjerrë nga automjeti nga zjarrfikësit dhe shërbimet e  Policisë,  dhe është transportuar në  spital jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, njoftoi më herët policia.

Në rrjet kanë dalë dhe pamjet e aksidentit dhe siç shihet makina është shkatërruar komplet.