Lajme

PAMJET/ Pritjes i vjen fundi, nis asfaltimi i segmentit Plepa-Shkozet

Segmenti i rrugës Plepa-Shkozet dhe anasjelltas ka nisur paraditen e kësaj të hëne të asfaltohet, duke i dhënë fund pritjes disa mujore të qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve. Ky aks i rëndësishëm që të çon drejt jugut të vendit, ndodhej në kushte skandaloze.

Të dy krahët e rrugës, si nga Shkozeti për në Plepa ashtu dhe krahu tjetër, nga Plepat në Shkozet ishin kthyer në shqetësim për drejtuesit e mjeteve.

Aksi rrugor ndër më të rëndësishmit në vend, ishte tejet i amortizuar dhe një gangrenë për të gjithë qytetarët e shoferët. Me mbarimin e sezonit të verës, javën e kaluar të dyja senset e rrugës janë gërryer dhe sot makineritë kanë nisur asfaltimin.

Duke qenë se fluksi i mjeteve është i lartë për shkak se ajo është nyja kryesore dhe me qarkullimin më të lartë për të shkuar në jug apo për t’u futur në autostradën Tiranës-Durrës, asfaltimi sot ka nisur vetëm në njërën nga dy korsitë e segmentit Plepa-Shkozet.

Kur të përfundohet plotësisht në njërin krah, do të nisë asfaltimi në sensin tjetër me drejtim nga Shkozeti në Plepa.