Lajme

Papa Françesku për Afrikën: të investohen energjitë më të mira për edukimin e rinisë

Françesku pret një delegacion promotorësh të Paktit Edukativ Afrikan: “Ta shikojmë Afrikën me besim”, thotë ai në një fjalim plot fjalë të urta, aforizma dhe dëshmi nga Nelson Mandela, Julius Nyerere dhe Plini Plak. Papa kërkon të punohet me pushtetin vendor për arsim cilësor, “duke formuar mirë mësuesit dhe duke krijuar kushte për ushtrimin e profesionit me dinjitet”

R.SH. – Vatikan

“Duhet një fshat i tërë për të edukuar një fëmijë”. Papa Françesku merr fjalë nga urtia e lashtë afrikane për të lavdëruar punën e përbashkët të ipeshkvijve, meshtarëve, shkencëtarëve dhe studiuesve nga vende të ndryshme të Afrikës, të cilët po vënë në jetë një Pakt Edukativ Afrikan, të ngjashëm me Paktin Global Edukativ dashur nga vetë Ati i Shenjtë më 2019, për t’iu kundërvënë emergjencës edukative ndër brezat e rinj të gjithë botës. Sot paradite, 1 qershor, në Vatikan, Papa priti një delegacion nga Fondacioni Ndërkombëtar “Fetë dhe Shoqëritë”, promovues të kësaj nisme, e cila u ndërmor gjatë një Simpoziumi Ndërkombëtar, mbajtur nëntorin e kaluar në Kinshasa, me patronazhin e Konferencës Ipeshkvnore të Kongos.

TS Poll - Loading poll ...

Pakti Edukativ bëhet realitet lokal

Në atë Simpozium, vuri në dukje Françesku gjatë fjalimit të pasuruar me fjalë të urta, aforizma dhe dëshmi nga Nelson Mandela, Julius Nyerere dhe Plini Plak, “i dhatë Paktit Global të Edukimit stilin afrikan… Ju përgëzoj, sepse jeni të parët që realizoni një Pakt Edukativ Kontinental”. Ky Pakt u pranua dhe po vihet në jetë nga të gjithë protagonistët e nevojshëm, pra, nga “i gjithë fshati”, siç thotë proverbi.

“Shoqërimi i çdo fëmije nuk është përgjegjësi ekskluzive e babait dhe e nënës, por e gjithë anëtarëve të bashkësisë. Prandaj, secili e ka për detyrë ta mbështesë edukimin, i cili është gjithmonë proces kolektiv”.

Papa me një delegacion nga Fondacioni Ndërkombëtar “Fetë dhe Shoqëritë”

Të rinjtë janë pasuri

Në traditën afrikane bashkësia është tejet e rëndësishme. Njeriu ekziston vetëm bashkë me të tjerët e kjo e ndihmon fenë e popujve të kontinentit. Ati i Shenjtë kujtoi se ata ishin të parët që i hapën dyert “me entuziazëm” fesë së krishterë e, aktualisht, Afrika është kontinenti ku numri i të krishterëve dhe i katolikëve, në veçanti, rritet më shumë se në kontinentet e tjera. Pasuria e vërtetë e Afrikës janë të rinjtë, nënvizoi Françesku.

“Ju nxis ta dëgjoni zërin e të rinjve dhe idetë e tyre, pa autoritarizma: Shpirti Shenjt flet edhe përmes tyre e, jam i sigurt se do të dinë t’ju sugjerojnë gjëra të bukura e mahnitëse”.

Të punohet me qeveritë vendore

Papa këshilloi “të investohen energjitë më të mira për edukimin e rinisë”, të punohet me qeveritë vendore për kualifikimin e arsimit, sidomos duke formuar mësuesit, duke i vlerësuar e duke krijuar kushtet e nevojshme që ta ushtrojnë profesionin e tyre me dinjitet. Afrika, përsëriti Françesku një koncept që e thotë shpesh, nuk është vetëm shfrytëzim burimesh natyrore dhe ekonomike, por pasuri edukative.

“Vlerat e edukatës tradicionale afrikane, veçanërisht ato të mikpritjes, të mirëseardhjes, të solidaritetit, përfshihen përsosurisht në Paktin Edukativ”.

E krishterimi “integrohet me pjesën më të mirë të çdo kulture dhe ndihmon për ta purifikuar atë që nuk është vërtet njerëzore, prandaj, as hyjnore”.

Papa me një delegacion nga Fondacioni Ndërkombëtar “Fetë dhe Shoqëritë”

Mandela, Nyerere dhe Plini Pak

Papa përmendi filozofët, pedagogët e personalitetet e shumta afrikane, që mund të shërbejnë si shembull për t’u ndjekur. Si Nelson Mandelën, i cili “në vendin e tij të shtypur nga aparteidi rikrijoi bashkimin ndërmjet racave të ndryshme, përmes pajtimit dhe edukimit”. Pikërisht Mandela “pohonte se edukimi është mjeti më i fuqishëm për ta ndryshuar botën”. Mund të frymëzoheni, u tha Papa afrikanëve, edhe nga burri tjetër i madh i shtetit, Julius Nyerere, Shërbëtor i Zotit, që të gjithë e quanin “mësues”, i cili “diti të zbatojë politika arsimore për zhvillimin e bashkatdhetarëve, pavarësisht nga kushtet ekonomike e shoqërore”. Nyerere “mbështetej në fenë e tij katolike dhe pohonte se pa kremtimin eukaristik ishte e pamundur ta çonte punën përpara”. Në përfundim, Ati i Shenjtë përmendi filozofin e guvernatorin romak Plinin Plak, që thoshte se nga Afrika lind gjithnjë diçka e re. Pakti Edukativ Afrikan i konfirmon këto fjalë, pasi është risi e bazuar mbi dy rrënjë të thella: kultura tradicionale dhe feja e krishterë. “E siç thotë një fjalë tjetër e urtë afrikane – e mbylli fjalimin e tij Papa – ‘kur rrënjët janë të thella, nuk duhet pasur frikë nga era’”.