Lajme

Pas disa shtyrjeve, nis regjistrimi i popullsisë në Malin e Zi

Në Mal të Zi, të dielën, nisi regjistrimi i popullsisë, pas shtyrjes disa herë të datës së parashikuar, pas kërkesës së partive opozitare në vend.

Sipas njoftimeve të mëparshme, regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi duhet të kishte filluar më 1 tetor dhe më 30 nëntor, por kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç ofroi shtyrjen e tij për disa kohë, pasi partia opozitare, Partia Demokratike e Socialistëve e ish presidentit Milo Gjukanovç, kërkoi plotësimin e të gjitha kushteve të parashikuara në marrëveshjen e firmosur mes opozitës dhe kryeministrit, për regjistrimin e popullsisë.

“Ka momente, vendime dhe veprime përmes të cilave ne tregojmë se jemi pjekur si shoqëri. Vendimet e opozitës dhe qëndrimi i njehsuar për të, është një hap në atë drejtim, është dëshmi e një vetëdije të re politike në të cilën interesi i shoqërisë dhe shtetit është mbi gjithçka tjetër”, tha me këtë rast zoti Spajiç.

TS Poll - Loading poll ...

Gjatë ditës së sotme, Administrata Statistikore të Malit të Zi njoftoi se janë plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e regjistrimit të popullsisë. Monstat u bëri thirrje qytetarëve që “të hapin derën për regjistruesit” dhe “të përmbahen nga deklaratat që nuk ndihmojnë në uljen e tensioneve”.

Regjistrimi i popullsisë në Mal të Zi, sipas analistëve është shndërruar në një çështje politike mes grupimeve më të mëdha politike, të pro-malazezëve dhe të atyre pro-serbe. Analistët theksojnë se regjistrimi i popullsisë, që nisi sot, mund të përmbysë strukturën kombëtare të popullsisë në shtetin e vogël ballkanik.

Edhe në raportin e Komisionit Europian, u theksua se regjistrimi i popullsisë dhe banesave kërkon menaxhim të kujdesshëm nga autoritetet, veçanërisht kur bëhet fjalë për çështje të ndjeshme që lidhet me etninë, fenë dhe gjuhën. Regjistrimi i fundit i popullsisë dhe banesave u mbajt në vitin 2011 në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, me qëllim të përcaktimit të të dhënave statistikore për popullsinë, ekonomitë familjare dhe banesat.

Ky ishte regjistrimi i parë në territorin e Malit të Zi që nga rifitimi i pavarësisë në vitin 2006. Rezultatet e regjistrimit treguan se Mali i Zi kishte një popullsi prej 625.266 banorësh dhe 194.795 familjesh. Sa i përket përkatësisë kombëtare mbizotëroi komuniteti malazez me 44,98 %, pasuar nga komuniteti serb 28,73%, nga boshnjakët 8,65% dhe shqiptarët me 4.91%./VOA