Agron Kapllanaj, kryetari i PD-së dega Fier deklaroi në studion e lajmeve në MCN Tv se platforma e dalë nga mbledhja e grupit parlamentar nuk është mbështetur nga degët për vetë faktin se deputetët nuk janë konsultuar me bazën. Duke vijuar më tej me logjikën e tij, Kapllanaj tha se nuk mund të vendosin për fatin e demokratëve deputetët që prej shumë kohësh nuk bëjnë takime me bazën.
Degët kanë qenë zëri i PD në bazë. Janë kryetarët e degëve ata që njohin realitetin në bazë dhe janë ata që kanë sjellë propozimet më të vlefshme këto 1.5 vite. Deputetët kanë dalë nga strukturat, janë kryetarët e degëve që i kanë mbështetur. Janë ata që ne i kemi dhënë mundësi që të përcjellin zërin e qytetarëve. Nuk mund të flasin në emër të qytetarëve nëse nuk marrin mendimin e tyre. Asnjë nga deputetët nuk është konsultuar me degët, me bazën. Kanë kohë që nuk vijnë në bazë. Një pjesë e tyre në fushatë nuk dolën dhe tashmë ata do vendosin në emër të demokratëve në bazë. Këta deputetë nuk mund të vendosin. Në hierarki, grupi parlamentar nuk merr vendime, është Kryesia, Kuvendi Kombëtar, Kolegji i Kryetarëve. Nuk mund të vendosin deputetët as për bashkimin. Nuk mund të vendosin për fatin e PD-së.
Kemi 1.5 vite që presim, bëmë thirrje për bashkim, për të nxjerrë kandidatë të përbashkët dhe nuk e mori asnjë në konsideratë. I shkuan deri në fund marrëzisht vendimeve për të nxjerrë kandidatë paralelë sipas interesit të tyre, çuan demokratët në një parti tjetër për interesat e një personi që e ka emrin Berisha. Kemi dëmtuar jo vetëm interesat e PD, por edhe të qytetarëve që presin alternativë që do përballet me kundërshtarin.
Berisha nuk reflekton për arsyet e veta. Nuk i dhimbsen demokratët. Unë humba prej kandidatit të Berishës, që i tha të bashkëpunonte me Ballën dhe kandidatët e PS për të mundur një kandidat të djathtë. Nëse do pranonte platformën tonë nuk do kishim dy kryetarë.
Besoj se duhet një javë apo 10 ditë për të riparë listat e anëtarëve të PD dhe për të bërë një databazë të mirëfilltë për të gjithë ata anëtarë që kontribuojnë dhe ata që kanë lënë PD dhe kanë shkuar diku tjetër. Për pjesën e anëtarësisë që kanë qëndruar në këto 1.5 vite kanë të drejtë ta rizgjedhin kryetarin sa më shpejt të jetë e humbur se s’kemi kohë. Na duhet kohë e gjatë për të zgjedhur strukturat. Duhet 6 muaj për të zgjedhur, seksionet, grup seksionet, Kuvendin Kombëtar, Këshillin Kombëtar. Le të zgjedhim kryetarin dhe nëpërmjet udhëzimit strukturat e tjera.
Unë jam pro bashkimit të forcave opozitare dhe këtu flas dhe për bashkimin e demokratëve për të çuar para procesin dhe për të pasur alternativë të mirë. Demokratët janë të mirëpritur të vijnë në shtëpinë e tyre, aty ku kanë dhënë kontributin e tyre, ne na bashkojnë idealet interesat, bindjet. Demokratet duhet të bashk,ohen, dhe bashkimi s’duhet të jetë mekanik për interesat e ngushtat të njërit apo tjetrit. Nuk më pëlqejnë gjërat e nxituara të grupit parlamentar për të marrë vendime pa u konsultuar me bazën.
Berisha me PD e ka mbyllur, është i përjashtuar. Dyert janë të mbyllura për Berishën dhe për një grup të vogël rreth tij.