Lajme

Rama nga Shkodra: Nuk është më qyteti i plehrave, vota ndryshoi vendin

Shkodra është qyteti i radhës ku Partia Socialiste po zhvillon Asamblenë e Zgjeruar.

Në fjalën e tij kryeministri Rama ka evidentuar ndryshimet e mëdha që i kanë ndodhur qytetit të Shkodrës në këto pak muaj pasi Benet Beci ka marrë në drejtim bashkinë.

“Në një kohë shumë të shkurtër ndjesia e energjisë së qytetit është krejt tjetër. Është e dukshme sapo hedh sytë në qytet që Shkodra nuk është më qyteti i plehrave dhe të paktën në ato pjesë që pashë që janë akset kryesore qyteti është realisht shumë i pastër dhe shpresoj që të jetë kështu edhe në lagje”, – tha Rama.

Benet Beci, kryebashkiaku i Shkodres
Benet Beci, kryebashkiaku i Shkodres

Kryeministri nuk la pa përmendur dhe keqmenaxhimin nga Bardh Spahia i Pd, ku e akuzoi se ndër vite ka punuar për partinë dhe jo për qytetin e Shkodrës.

“Por ajo që është e rëndësishme është që ky është një proces që ka nisur dhe në një kohë shumë të shkurtër ka filluar të jetë mjaft i dukshëm dhe kjo nuk është e lehtë aq më tepër kur kemi parasysh që institucione vendore në Shkodër kanë qenë përgjithësisht të fokusuara te punët e asaj partisë që sot është ndarë në shumë pjesë dhe te hallet private të njerëzve”, – vazhdoi në fjalën e tij Kryeministri.

Gjithashtu shtoi se nuk ka nevojë për shumë fjalë sepse vetem një xhiro të bësh në Shkodër, puna flet vetë.