Lajme

Zyrtarët e Bashkisë Dimal dënohen për ryshfet me lejen e ndërtimit

efundit

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë shpalli të martën më 31 tetor dënimet ndaj katër zyrtarëve të Bashkisë Dimal, të akuzuar për shërdorim detyre dhe korrupsion, si dhe ndaj menaxherit të një subjekti privat dhe një inxhinieri, pasi u akuzuan për përfshirje në veprime të kundërligjshme në dhënien e lejeve të ndërtimit kundrejt ryshfetit tre vjet më parë.

Pasi u njoh me konkluzionet përfundimtare të të pandehurës Valentina Jançe, e cila kërkoi pafajësi ose dënim alternativ, trupi gjykues i kryesuar nga Flora Hajredinaj vendosi të deklarojë fajtorë të gjashtë të pandehurit, të cilët kanë pranuar gjykimin e shkurtuar duke përfituar uljen e një të tretës së dënimit.

Përgjegjësi i shërbimeve në Bashkinë Dimal, Arben Guraj u gjet fajtor për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim; “Korrupsioni pasiv…, e aktiv”, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Ai u dënua në total me 4 vjet burg, që në aplikim të gjykimit të shkutuar u reduktua në 2 vjet e 8 muaj burgim.

TS Poll - Loading poll ...

I pandehuri Altin Pali, me detyrë drejtor i Zyrës së Urbanistikës në këtë bashki, akuzuar për “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv…”, u dënua me 3 vjet heqje lirie dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar me 2 vjet burgim. Për të njëjtat vepra penale u dënua përfundimisht me 1 vit e 4 muaj e pandehura Valentina Jançe, përgjegjëse sektori e urbanistikës pranë Bashkisë Dimal. Agim Çunaj, me detyrë përgjgjës i IKMT pranë kësaj bashkie, u dënua për shpërdorim detyre me 1 vit e 6 muaj. Zyrtarëve të akuzuar, i’u hoq e drejta e mbajtjes së funksioneve publike për 5 vjet.

Menaxheri i subjektit privat, Vait Koshi, i cili akuzohet për “korrupsion aktiv…” u dënua me 1 vit burg, ndërsa inxhinieri Arjan Demiri me 8 muaj burg. Ndaj këtyre dy të pandehurve u vendos shuarja e masës së sigurisë, pasi rezulton që të kenë kenë tejkaluar masaën e dënimit të dhënë nga gjykata.

Gjykata konfiskoi një shumë prej 50 mijë lekësh që konsiderohet e provuar se është vlera që është dhënë në formë ryshfeti.

Hetimet ndaj zyrtarëve të Bashkisë Dimal nisën më 25 nëntor të vitit 2020, pasi një qytetar denoncoi shkatërrimin e pronës së tij i nga ana e njësisë vendore për ndërtimin e një lulishteje. Por nga hetimi rezultoi se bashkia kishte dhënë një leje për të ndërtuar në këtë pronë. Shkatërrimi i pronës së denoncuesit rezultoi si favorizim dhe jo me qëllim zgjerimin e hapësirave publike, siç kishte pretenduar Bashkia Dimal, zyrtarët e së cilës, të cilët dhe u morën të pandehur, u akuzuan se jepnin leje ndërtimi kundrejt ryshfetit./BIRN