Një rritje e ankthit dhe depresionit e ka çuar numrin global të rasteve të shëndetit mendor në 1.2 miliardë, duke nxjerrë në pah një barrë në rritje që sistemet shëndetësore nuk janë të përgatitura ta përballojnë.
Numri i njerëzve që jetojnë me probleme të shëndetit mendor është pothuajse dyfishuar gjatë 30 viteve të fundit, kryesisht për shkak të rritjes së ndjeshme të ankthit dhe depresionit në mbarë botën, sipas një studimi të ri.
Analiza, e botuar në revistën mjekësore The Lancet si pjesë e Studimit Global të Barrës së Sëmundjeve 2023, vlerëson se rreth 1.2 miliardë njerëz jetonin me një gjendje të shëndetit mendor në vitin 2023.
Kjo shënon një rritje prej 95% që nga viti 1990. Rritja ishte edhe më e madhe për çrregullimin depresiv të madh dhe çrregullimet e ankthit, të cilat u rritën përkatësisht me 131% dhe 158%, duke i bërë ato dy gjendjet më të zakonshme të shëndetit mendor në botë.
“Përgjigja ndaj nevojave të shëndetit mendor të popullsisë sonë globale, veçanërisht atyre më vulnerabël, është një detyrim, jo një zgjedhje”, shkruan autorët.
Raporti i përshkruan çrregullimet mendore, si sëmundje të përhapura që shkaktojnë vuajtje të mëdha njerëzore dhe humbje të shëndetit afatgjatë. Përtej pasojave personale, autorët thanë se sëmundjet mendore prekin edhe familjet, vendet e punës dhe qeveritë përmes produktivitetit të reduktuar, pjesëmarrjes më të ulët në fuqinë punëtore dhe presionit në rritje mbi sistemet e mirëqenies dhe kujdesit shëndetësor.
Jo të gjithë vuajnë njësoj
Ndërsa problemet e shëndetit mendor janë rritur në nivel global, barra nuk ndahet në mënyrë të barabartë.
Autorët identifikojnë 620 milionë raste të çrregullimeve mendore tek femrat dhe 552 milionë tek meshkujt, megjithëse ata vunë në dukje se janë bërë pak kërkime për të përcaktuar faktorët që ndikojnë në ndryshimin gjinor në çrregullimet mendore.
“Krahasuar me meshkujt, femrat përjetojnë vetëvlerësim më të ulët, tendencë më të madhe ndaj turpit që lidhet me trupin dhe shkallë më të larta të dhunës në familje dhe abuzimit seksual”, thuhet në raport.
Faktorë të tjerë që mund ta shpjegojnë këtë ndryshim, përfshijnë ndryshimet biologjike – veçanërisht gjatë periudhës peripartum – rritjen e përgjegjësive në karrierë dhe pabarazitë strukturore siç është diskriminimi gjinor.
Ndër gratë, depresioni dhe ankthi ishin gjendjet më të zakonshme. Çrregullimi depresiv i vazhdueshëm, çrregullimi bipolar, anoreksia nervore dhe bulimia nervore ishin gjithashtu më të përhapura tek gratë.
Në të kundërt, kushtet neurozhvillimore dhe të sjelljes – duke përfshirë ADHD-në, çrregullimin e sjelljes dhe autizmin – ishin më të zakonshme tek burrat.
Barra më e lartë e shëndetit mendor në nivel global u gjet tek adoleshentët e moshës 15 deri në 19 vjeç, duke theksuar nevojën për parandalim të hershëm dhe mbështetje të synuar për të rinjtë.
Çfarë po e nxit rritjen?
Raporti identifikoi disa faktorë kryesorë rreziku të lidhur me sëmundjet mendore, duke përfshirë dhunën seksuale në fëmijëri, dhunën nga partneri intim dhe ngacmimin. Këto ishin të lidhura me gjendje të tilla si skizofrenia, depresioni, çrregullimi bipolar, çrregullimet e ankthit, çrregullimi i sjelljes dhe bulimia nervore.
Megjithatë, studiuesit thanë se vetëm këta faktorë nuk e shpjegojnë rritjen e rasteve. Shkalla e ekspozimit mbeti relativisht e qëndrueshme me kalimin e kohës dhe përbënte vetëm 18% të Viteve të Jetës të Rregulluara për Aftësinë e Kufizuar (DALY) të çrregullimeve mendore në vitin 2023 – një masë e viteve të jetës së shëndetshme të humbura për shkak të sëmundjes ose aftësisë së kufizuar.
Autorët thanë se rezultatet e shëndetit mendor ka të ngjarë të formohen nga një përzierje më komplekse ndikimesh, duke përfshirë gjenetikën, biologjinë, varfërinë, pabarazinë në rritje dhe krizat e mëdha globale si lufta, pandemitë, fatkeqësitë natyrore dhe ndryshimet klimatike.
Edhe pse çrregullimet mendore kanë qenë prej kohësh një nga shkaqet kryesore të aftësisë së kufizuar në mbarë botën, raporti paralajmëron se barra globale po vazhdon të përkeqësohet.
Në të njëjtën kohë, zgjerimi i shërbimeve të shëndetit mendor nuk ka arritur të mbajë ritmin me kërkesën në rritje.
“Shqetësuese është se kjo rritje e barrës nuk është shoqëruar me zgjerim proporcional të shërbimeve të shëndetit mendor në nivel global”, shkruan autorët./ Euronews.
