Ndonjëherë këshillat më të mira nuk vijnë nga librat motivues, por nga një fjali e thënë në momentin e duhur. Një grup adoleshentësh kanë treguar këshillat më të vlefshme që kanë dëgjuar ndonjëherë dhe, sinqerisht, disa prej tyre vlejnë në çdo moshë.
Çfarë është këshilla më e mirë që ke marrë ndonjëherë? Kjo ishte pyetja që iu bë nxënësve në rubrikën Current Events Conversation të The Learning Network, dhe përgjigjet e tyre i kemi përmbledhur në vijim.
Nga këshillat për të mos u treguar të ashpër me veten, te rëndësia e të ecurit me ritmin tënd, të rinjtë ndanë këshilla të vogla jete, të marra nga prindër, mësues, trajnerë, kushërinj e miq.
Një prej këshillave që spikati ishte, “Nuk e ke ti në dorë rezultatin, por ti ke në dorë përpjekjen që bën.” Për një nxënëse, këtë fjali ia thanë teksa kishte ankth për një provim final dhe e ndihmoi të kuptonte se vlera e saj nuk matet vetëm me notën, por edhe me punën që ka bërë.
Një tjetër këshillë ishte, “Jeta fillon jashtë zonës së rehatisë.” E dhënë nga një mësues muzike, kjo ide nuk vlente vetëm për skenën apo klasën, por për jetën në përgjithësi, për të patur guxim të provosh, të kërkosh, të lëvizësh, edhe kur ke frikë.
Po aq e fortë ishte edhe fraza, “Syno hënën. Në rastin më të keq, do të përfundosh mes yjeve.” Një nxënëse nga Franca tregoi se pikërisht kjo këshillë e shtyu të aplikonte për praktikë te LVMH, edhe pse dukej si diçka jashtë mundësive të saj. E provoi, këmbënguli dhe ia doli.
Mes këshillave më interesante ishte edhe kjo, “Nuk ke faj për mendimin e parë, por ke përgjegjësi për të dytin.” Një fjali që flet shumë për vetëdijen emocionale dhe për mënyrën si reagojmë në situata të vështira.
Shumë prej të rinjve prekën edhe tema që lidhen me pranimin e vetes. “Mos e zvogëlo veten për t’iu përshtatur pritshmërive të të tjerëve,” ishte një tjetër këshillë e vlefshme, sidomos për dikë që e kishte kaluar një pjesë të madhe të kohës duke ndryshuar mënyrën si fliste apo sillej, vetëm për t’u pranuar.
Disa këshilla ishin shumë të thjeshta, por pikërisht për këtë arsye funksiononin. “Fli herët.” “Shkruaji qëllimet e tua.” “Mos u nxito me vendimet që merr vetëm sepse të tjerët po ecin shpejt.” “Bëje dhe kaq.”
Një tjetër mendim që u përsërit në forma të ndryshme ishte që nuk ke pse të jesh perfekt, mjafton të vazhdosh. Ose që duhet të biesh në dashuri me procesin, jo vetëm me rezultatin. Me pak fjalë, të mos jetosh vetëm për atë që vjen në fund, por të mësosh të vlerësosh edhe rrugën.
Mes gjithë përgjigjeve, kishte edhe këshilla si: “Është në rregull të mos jesh mirë.” “Gjithçka vjen në kohën e vet.” “Çdo e keqe përfundon një ditë.” “Nuk mund të kontrollosh veprimet e të tjerëve, vetëm të tuat.”
Dhe ndoshta këshilla më e bukur nga të gjitha është kjo: ndalo pak, shiko përreth dhe jeto më me vetëdije. Sepse jeta ikën shpejt, dhe shpesh, pikërisht teksa nxitojmë, humbasim gjërat që kanë më shumë rëndësi.
