Lajme

16-vjeçari nga Kosova, në mesin e të arrestuarve për terrorizëm në Zvicër

Dy të rinjë u arrestuan në Zvicër në fundjavë nën dyshimet se kishin lidhje me ISIS dhe planifikonin sulm terrorist.

Siç raporton “CH Media”, 16-vjeçari është me rrënjë nga Kosova dhe ishte shumë aktiv në rrjetet sociale. Përdorte shumë llogari. Madje e quante veten “bomberi i Instagramit”. 15-vjeçari është me shtetësi zvicerane.

Autoritetet zvicerane besojnë se nofka e kosovarit ishte inspiruar nga lojërat elektronike.

Sipas tyre, dy të rinjtë po planifikonin sulm terrorist.

16-vjeçari nga Kosova ishte rritur në Itali, por më pas ka emigruar në Zvicër. Ai ka postuar shpesh foto me flamurin e Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe duke bërë shqiponjën.

Kosovari i ri dhe familja e tij jetojnë shumë pranë Shoqatës Kulturore Islame në Schaffhausen. Aty frekuentojnë edhe anëtarët e ISIS-it. 15-vjeçari zviceran jeton vetëm pak minuta larg. Se si u radikalizuan saktësisht të rinjtë ende po hetohet.

Në lidhje me dy të arrestuarit, më vonë në pranga ka rënë edhe një 18-vjeçar.

Operacioni i autoriteteve zvicerane vjen pasi Gjermania arrestoi katër të rinj, të moshave 15, 16 dhe 17 vjeç në Dusseldorf për lidhje të dyshuara me ISIS-in.

Sipas informacioneve, të dy grupet kishin shkëmbyer mesazhe mes vete për një sulm të mundshëm terrorist.

Autoritetet në Zvicër dhe Gjermani janë shprehur të shqetësuara me radikalizmin në rritje mes të rinjve.