Lajme

17 shkurti i gjashtë prapa grilave për ish-krerët e UÇK-së

Është gjykatë e Kosovës, me seli në Hagë.

Por, në objektin e Dhomave të Specializuara, nuk shihet as edhe një simbol i shtetit të Kosovës.
E gjendje e njëjtë, u pa edhe të martën, me 17 Shkurt.

Edhe në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, mungoi flamuri i shtetit më të ri në Evropë.

Këtu në Hagë të Holandës, është përvjetori i gjashtë i pavarësisë, që prapa grilave po i gjen, ish-krerët e UCK-së.

Tëvë1, gjatë qëndrimit këtu , u interesua se si e kalojnë festën e pavarësisë, në paraburgim, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.

Detaje për këtë, dha zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.

“Të paraburgosurit lejohen të kalojnë kohë bashkë dhe të festojnë festat e rastet e tjera speciale së bashku. Për arsye privatësie, për sa kohë janë përbrenda rregullave të qendrës së paraburgimit dhe Dhomave të Specializuara, nuk mund të them se si te paraburgosurit kanë përzgjedhur ta festojnë këtë vit ditën e pavarësisë së Kosovës. Në përgjithësi mund të them se ata kanë qasje në programe të ndryshme televizive dhe në përzgjedhje të ushqimit, ku mund të gatuajnë së bashku. Por çfarë kanë kërkuar dhe çfarë kanë vendosur të bëjnë specifikisht, nuk mund ta them.”, u shpreh Griep.

Specialja vendosi që të paktën për festë kombëtare, ata nuk do të dalin para gjyqtarëve.

Por, një ditë më pas, sytë e të gjithëve do të drejtohen drejt këtij objekti.

Për seancën e së mërkurës, nga Specialja thonë se interesimi është i madh.

“Interesimi për t’i përcjellur seancat përfundimare në përgjithësi ka qenë shumë, shumë i madh. Dhe ju e keni parë që në galerinë për publikun kemi ulëse të kufizuara. Kështu që, kemi përgatitur listë për njerëzit që do të jenë aty, duke iu dhënë prioritet familjarëve të të akuzuarve dhe gjithashtu mediave, sidomos atyre të Kosovës.”, ka theksuar Griep.

Por, për të hyrë në këtë gjykatë, duhet t’i nënshtrohesh disa kontrolleve të rrepta.

Ndërsa gjithçka që ndodh brenda seancës, tek publiku transmetohet me 45 minuta vonesë.

“Për nesër interesimi ka qenë ekstremisht i lartë dhe jemi përgatitur, por shpresoj se njerëzit do të na mirëkuptojnë nëse do të ketë vonesa në hyrje dhe kontrolle, por do të bëjmë më të mirën tonë në akomodimin e tyre në kohë. Ne kemi vetëm 60 ulëse në galeri, fatkeqësisht. Kështu që, mund t’ua rekomandoj që të tjerët ta ndjekin seancën online, përmes ueb faqes sonë, ku me 45 minuta me vonesë mund ta shohin seancën, e cila është e qasshme në tre gjuhë, shqip, anglisht dhe serbisht.”, ka përfunduar Griep.

Me përfundimin e seancës së të mërkurës, trupi gjykues ka kohë 90 ditë, me mundësi zgjatje të afatit edhe për 60 ditë të tjera, për të nxjerrë një vendim për ish krerët e UÇK-së.

 

Të Ngjashme