Lajme

24.3% e deputetëve kanë munguar në seanca plenare

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) e ka vlerësuar të dobët sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës. Sipas tyre, në këtë sesion ka dështuar mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit, si dhe ka vazhduar trendi i mungesës së kuorumit në seanca plenare. Në anën tjetër potencuan se zgjedhjet e caktuara më 9 shkurt 2025, pritet të ndikojnë në performancën e sesionit vjeshtor të Kuvendit.

Sesioni pranveror i Kuvendit të Kosovës ishte i dobët.

Kështu vlerëson raporti i Institutit Demokratik të Kosovës, i cili sipas tyre, në sesionin e kaluar ka dështuar mbikëqyrja parlamentare ndaj ekzekutivit.

Në një konferencë për media, hulumtuesja në KDI Violeta Haxholli tha se ka vazhduar trendi i mungesës së kuorumit në seanca plenare.

Sipas saj, mazhoranca gjatë sesionit pranveror ka miratuar 36 projektligje nga të cilat vetëm 1 për qind janë të agjendës legjislative të vitit 2024.

“Sa i përket mungesës së kuorumit pra që shkaktohet nga mungesa e deputetëve ka vazhduar trendi i njëjtë i një lloj sjellje të papërgjegjshme të deputetëve të cilët edhe këtë sesion kanë bërë një numër të madh të mungesave. Gjithsej 525 mungesa apo mesatarisht për çdo seancë 24.3 % e deputetëve kanë munguar. Pra deputetët ka raste kur ata vinë në fillim të seancës dhe evidentohen në listën e regjistrimit, lëshojnë seancën në mes duke shkaktuar kështu mungesën e kuorumit dhe shumica e seancave kanë përfunduar për shkak të kësaj mungese dhe nuk kanë përfunduar suksesshëm”, tha Haxholli.

Haxholli theksoi se zgjedhjet e caktuara parlamentare më 9 shkurt 2025, do të ndikojnë në performancën e sesionit vjeshtor të Kuvendit.

“Zgjedhjet do të ndikojnë shumë në performancën e sesionit vjeshtor, megjithatë duke pasur parasysh se kanë mbetur shumë pika të pa trajtuara nga sesioni pranveror siç e keni pa edhe seanca e kësaj të enjte është me pika të bartura. Deputetët duhet t’i kushtojnë një vëmendje më të madhe këtyre përfundimit të këtyre pikave. Krahas fushatës zgjedhore që do të karakterizojë këtë sesion duhet të tregohet një nivel më i lartë i përgjegjshmërisë së deputetëve”, tha ajo.

Krahas këtyre, Haxholli kërkoi rol më proaktiv të kryeparlamentarit Glauk Konjufca për shqiptimin e sanksioneve në rastet kur deputetët apo ministrat shkelin rregullat e Kuvendit.