Lajme

25 ditët vendimtare për presidentin: A do të lëvizin ndërkombëtarët?

Të shtunën edhe zyrtarisht, Vjosa Osmanit i ka mbaruar mandati i presidentes dhe me këtë fillojnë edhe ‘tik- taket’ e kryeministrit Albin Kurtit nëse do të arrijë konsenzus me opozitën për çështjen e presidentit.

Të hënën, kryeministri i Albin Kurti, ka paralajmëruar se do të ftojë në takime liderët e partive opozitare, duke thënë se deri më tani nuk ka pasur kohë për të zhvilluar konsultime të brendshme lidhur me këto takime për shkak të një vizite në Paris të Francës.

Edhe ditët tjera, Kurti ka përsëritur qëndrime të njëjtë, ndërsa të premten ka thënë se tashmë është në kontakt edhe me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun dhe me kreun e PDK-së, Bedri Hamzën dhe se takime do të ketë javën e ardhshme.

Në anën tjetër, që nga vendimi i Kushtetueses për afatin e zgjedhjes së presidentit, ndërkombëtarët kanë mirëpritur vendimin, gjersa kanë vazhduar të qëndrojnë ‘larg’ deklarimeve për një presion diplomatik.

Analistët politikë thonë se ndërkombëtarët duhet të kenë presion diplomatik të balancuar lidhur me këtë çështje, nuk duhet të ndërhyjnë për zgjedhje të reja. Por, sipas tyre, ata shohin edhe një mungesë të vullnetit politik.

‘Presion i balancuar’

Profesori, Nijazi Halili, thotë se presioni i drejtpërdrejt diplomatik duhet të jetë i balancuar me respektimin e sovranitetit dhe proceseve demokratike të brendshme.

Image
Nijaz Halili

“Situata e krijuar rreth zgjedhjes së presidentit në Kosovë është një test i rëndësishëm për pjekurinë politike dhe funksionalitetin institucional të vendit. Paralajmërimi i Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti për nisjen e konsultimeve me opozitën është një hap i domosdoshëm drejt ndërtimit të konsensusit, por mbetet për t’u parë nëse kjo përpjekje do të japë rezultat konkret. Sa i përket rolit të ndërkombëtarëve, si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e qartë se ata kanë interes strategjik për stabilitetin e Kosovës. Megjithatë, presioni i drejtpërdrejtë diplomatik duhet të jetë i balancuar me respektimin e sovranitetit dhe proceseve demokratike të brendshme”, shprehet Halili.

Ai kërkon ndërmjetësim në formë të lehtësimit të dialogut, por jo në imponim në zgjedhje.

Sipas tij, në rast të shkuarjes në zgjedhje të reja rrezikohet jo vetëm stabiliteti i brendshëm politik, por edhe besueshmëria e Kosovës në sy të partnerëve ndërkombëtarë.

“Ndërmjetësimi mund të jetë i dobishëm në formën e lehtësimit të dialogut dhe inkurajimit të kompromisit, por jo në imponimin e zgjidhjeve, pasi kjo mund të perceptohet si ndërhyrje dhe të prodhojë efekt të kundërt në opinionin publik. Në rast të mungesës së konsensusit dhe shkuarjes drejt zgjedhjeve të reja, rrezikohet jo vetëm stabiliteti i brendshëm politik, por edhe besueshmëria e Kosovës në sytë e partnerëve ndërkombëtarë. Një krizë e zgjatur mund të ngadalësojë proceset integruese dhe të krijojë perceptimin e një sistemi politik të brishtë dhe të polarizuar. Prandaj, përgjegjësia kryesore mbetet tek liderët vendorë që, përtej dallimeve partiake, të gjejnë një zgjidhje që garanton funksionimin institucional dhe ruan besimin e qytetarëve dhe aleatëve ndërkombëtarë”, shton profesori.

Gjykata Kushtetuese më 25 mars  u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Deri tani kanë mbetur edhe 25 ditë në përfundim të afatit, afat ky që përfundon rreth 28 prillit.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht bën thirrje për një konsensus, madje më 2 prill, shefja e Grupit Parlamentar e VV-së, Arbërie Nagavci u ka bërë thirrje për unitet deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ajo tha se pret bashkëpunim nga secili deputet.

“Rifillimi i punës së Kuvendit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese është një moment që kërkon qartësi, seriozitet dhe përgjegjësi. Jemi rikthyer jo vetëm në formalitetin e rendit të ditës, por në thelbin e funksionit tonë si përfaqësues të qytetarëve. Kuvendi i Republikës është vendi ku merren vendimet, nuk ka asnjë adresë tjetër ku mund të zhvendoset kjo përgjegjësi. Në këtë fazë kemi nevojë për unitet dhe bashkëpunim. Para nesh kemi një proces të rëndësishëm kushtetues, zgjedhjen e presidentit të Republikës, ku nga secila e secili prej nesh kërkohet pjekuri politike. Në emrin e çdo deputeti nënshkruhet serioziteti i këtij institucioni. Presidenti si figurë e unitetit të popullit thërret për proces që duhet të udhëhiqet nga bashkëpunimi. Përgjegjësia është e jona. Qytetarët presin nga ne që të marrim vendime”, ka thënë Nagavci.

Ndërsa, nga opozita kanë akuzuar për ‘mos nxitim’ lidhur me këtë çështje.

Mungesa e vullnetit politik dhe ‘largimi’ i ndërkombëtarëve

Ndërsa, analisti Nexhat Haziri konsideron se nuk ka vullnet nga asnjëra palë për të pasur marrëveshje për zgjedhjen e presidentit.

Image
Nexhat Haziri

Këto takime të paralajmëruara nga z. Kurti me liderët e partive parlamentare, pra me PDK-dhe dhe LDK-në, edhe nëse do të mbahen do të jenë vetëm sa për sy e faqe që thotë një fjalë popullore. Përtej kësaj, PDK sipas sinjaleve qe po i jap ditëve të fundit edhe mundet t’i përgjigjet negativisht ofertën e z. Kurti për këto takime për gjetur gjoja mundësinë e zgjedhjes së presidentit apo presidentes së vendit. Pra nuk ka vullnet nga asnjëra palë për të pasur marrëveshje për zgjedhjen e Presidentit dhe vendi po shkon drejtë zgjedhjeve të jashtëzakonshme pas mbarimi të afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese”, deklaron Haziri.

Duke parë mungesën e vullnetit politik, sipas Hazirit, ka ndikuar që ndërkombëtarët të mos tentojnë të ndërhyjnë.

Sipas tij, ndërkombëtarët mund të ndikojnë kur mund të ndikohet të mos respektohet afati i përcaktuar nga Kushtetuta.

“Dhe në mungesë të këtij vullneti politik të partive politike për këtë proces, ka bërë që edhe faktori ndërkombëtar mos të tentojë që të ndërhyje si një ndërmjetësues për t’i ofruar palët drejtë një marrëveshje që do ta zgjidhte të parin e vendit. Të vetmen ndërhyrje  që e pres nga faktori ndërkombëtar në këtë proces është vetëm atëherë kur do të tentohet që mos të respektohet afati i përcaktuar nga Kushtetuta e që ky tentim për ta shtyrë afatin e zgjedhjeve mund të tentohet nga LVV-ja, e që gjasë do të mund ta thellonte krizën pasi partitë opozitare mund të kërcënojnë me bojkotim të zgjedhjeve, e që më pas do të mund të kemi një proces zgjedhor pa legjitimitet demokratik e ndërkombëtar e që do t’i kushtonte Kosovës me pasoja të mëdha”, përfundon analisti.

Të Ngjashme