“Në këtë betejë unë e kam parë vdekjen me sy…”
Kujtimet e asaj dite i ka ende të freskëta.
E përballja me vdekjen e kishte forcuar atë më shumë.
Baki Latifi ishte përballur me forcat serbe më 11 mars të ’99-tës, në Jeshkovë të Prizrenit.
Tani 27 vite pas, ish-luftëtari i Brigadës 125, tregon se si kishin filluar luftimet në këtë fshat.
“Luftimet kanë filluar në ora 08:00, rojet që i kishim Skender Latifi dhe Besnik Kastrati kanë qenë në pikën e vëzhgimit dhe me dhënien e alarmit në ora 05:00, na kanë njoftuar se kanë dëgjuar zhurma të ndryshme motorike të forcave të armikut dhe ne kemi filluar përgatitjet. Luftimet e para kanë filluar diku rreth orës 08:00 dhe ato luftime janë zhvilluar tërë ditën deri në orët e mbrëmjes”, tregon Baki Latifi, ish-ushtar i UÇK-së.
Edhe pse vdekjen e kishte pranë, Latifi thotë se për asnjë moment nuk u frikësua.
“Në këtë betejë unë e kam parë vdekjen me sy. Gjatë luftimeve, pas orës 13:00 të asaj dite, gjatë reagimeve mu më ka mbuluar dheu. Mirëpo, falë bashkëluftëtarëve që e kanë vërejtur në atë pjesë që kam qenë unë, kanë ardhur e kanë heq dheun, e më kanë nxjerr të gjallë. Aty e kam pa edhe si është vdekja”, shprehet ai.
Fatin e tij, nuk e kishte pasur edhe Skenderi, djali i xhaxhit të tij.
“Atë ditë në mëngjes deshi fati që të mos jemi së bashku me një njësi. Mua mu dha një ushtar i njësisë dhe tre qytetarë që kanë ardh atë ditë. Ndërsa, Skenderi ishte me Besnik Kastratin që sot është i zhdukur. Mas dy tri orë luftime kom pas fatin me pa me një distancë prej 100 metrave, jemi parë dhe i kemi bërë me dorë njëri-tjetrit, ai ka qenë momenti i fundit që jemi parë”, tregon ish-ushtari i UÇK-së.
Lajmin për vdekjen e tij, Bakiu thotë se e kishte pasur të vështirë ta pranonte.
“Po i shoh të gjitha fotografitë, mirëpo Skenderin jo, i thash a është gjallë, më tha që ku i ke nëntë fotografi, e pashë dikur edhe fotografinë e Skenderit, të them të drejtën nuk e besojsha që është ai. Më tha ky kush është, i thash s’po mundem me identifiku. Dhe atë ditë nuk i kam thanë që është Skenderi, e kanë dërgu fotografinë te familja, ata thanë po, ma sjellën mu foton, më thanë shiko edhe njëherë, i thash dje e kam parë, por nuk mundem me thanë që ai ka vdekë”, shprehet Latifi.
Ashtu si për Latifin, kjo betejë ishte e paharrueshme edhe për Xheladin Krasniqin, përfaqësues i fshatit Jeshkovë.
“Më 11 mars të ’99, kjo ofensivë ka qenë shumë e fortë, ka pasur shumë serb të vrarë. Unë i kam parë me sytë e mijë në ora 00:00, njëzetë e dy kamionë duke dal nga fshati Jeshkovë, një kamion ka qenë gjithë kufoma deri në kulm, prej malit aty i kam parë”, thotë ai.
Në këtë betejë heroike të fshatit Jeshkovë ranë dëshmorë 21 persona.
Në kujtim të tyre, këtë të mërkurë, familjarë të dëshmorëve e qytetarë, bënë homazhe dhe vendosën kurora lulesh te lapidari dhe varrezat e martirëve në fshatin Jeshkovë.
