Një minut heshtje u mbajt.
E më pas varr më varr u ndëruan të rënët nga operacioni “Shigjeta”
Kjo pasi këtë të martë u bënë 27 vite nga fillimi i operacionit më të rëndësishme dhe vendimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
E për kolonel Binak Gashit, fakti që humbjet ishin minimale ishte fal bashkëpunimit të mirë më NATO-n.
“Këtë mund ta quajmë kryebeteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sepse ka qenë një operacion i përgatitur shumë mirë nga Shtabi i Përgjithshëm, nga eprorët e saj, edhe bashkëpunim me forcat e NATO-s. Forcat e NATO-s kanë operuar në ajër, kurse forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në tokë. Edhe ka qenë koordinim shumë i shkëlqyeshëm edhe humbjet i kemi shumë minimale, sidomos në operacionin “Shigjeta” në Pashtrik. Unë i përgëzoj domethënë të gjithë ata luftëtarë edhe që kanë dhënë kontributin, e sot e gëzojmë këtë liri”, ka thënë Gashi.
Po si ishte menduar të shkoi i gjithë operacioni?
“Qëllimi i operacionit ka qenë që të hyhet në formë shigjete, të hyhet në Kosovë edhe bashkë me Kosharen të krijohet një vijë e furnizimit që t’u ndihmojmë edhe forcave që ishin brenda aty, në Dukagjin, me komandant Ramush Haradinaj, edhe të tjerave forca. Domethënë, ta mundësonim furnizimin e rregullt me armatim.Mirëpo, për fatin tonë, ajo u krye me marrëveshjen e NATO-s që u bë në Kumanovë”, u shpreh Hasan Metaj.
Probleme i vëtëm që kishin në atë kohë ishte mungesa e armëve.
“Na ka ardhur në fund armatimi i mirë nga Amerika, snajperat 3000-metërsh që kanë qenë, ato janë përdorur kryesisht kundër forcave serbe, pikave të forcave serbe, se deri atëherë nuk mund të lëviznim lirisht. Po mbas atyre snajperave kemi goditur armikun, janë tërhequr prej pikave ku kanë qenë, që kanë rrahur me mitraloz, e kanë rrahur atë pjesën ku ne stërviteshim për me… me qarkulluar”, u shpreh tutje Hasan Metaj.
Por, Metaj nuk harroi të kujtoi edhe momentin më të vështirë të kaluar.
“Një herë që ka qenë një natë kur ka bombarduar NATO-ja, se ne ishim afër pozicioneve serbe. Edhe këta ku ishin në bazë disa, që kanë qenë në bazë poshtë, në bazën logjistike, e kanë llogaritur që ne jemi veç shkrirë aty nga bombat e NATO-s. Po për fat, ata e goditën vetëm atë pjesën, se e kujtoj atë natë, një herë i kanë i kanë ndezur si forcat serbe kanë ndezur nja disa raketa për me ndriçues. Edhe ka ardhur një aeroplan i NATO-s, edhe u sjellë disa herë, me dy aeroplanë përcjellës, edhe ka rënë me një shpejtësi shumë të madhe, ka rënë poshtë edhe ka gjuajtur atëherë bomba, raketa, ato”, theksoj Hasan Metaj.
Këtij operacioni ju bashkuan edhe nga Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Komandant Uran Rexhepi, thotë se interesimi ka qenë i madh, por ka qenë numri i caktuar i personave që mund të vinin.
“Po atë kohë ka qenë plot me emocione, me problem, e shihnim përmes televizionit që vendi në të gjitha anët po përballej me vështirësi të mëdha, me vrasje, me dhunime. Edhe, falë Shtabit të Përgjithshëm të Kosovës, u organizuam edhe ne erdhim një grup prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Rexhepi.
Operacioni “Shigjeta” u zhvillua nga 26 Maji i 1999 deri më 10 Qershor 1999 ndërmjet UÇK-së e cila ishte e mbështetur nga forca ajrore e NATO-s, kundër Ushtrisë Jugosllave.
Objektivi kryesor i forcave të UÇK-së, ishte hapja e një rruge përmes lumit Drini i Bardhë dhe malit të Pashtrikut në mënyrë që të sigurohej kalimi i sigurt i armëve dhe vullnetarëve përmes kufirit Shqipëri–Kosovë.
