Edhe në marrëdhëniet më të lumtura, debatet janë të pashmangshme. Qëllimi nuk është të mos zihemi kurrë, por të kuptojmë pse po zihemi dhe si mund ta përmirësojmë lidhjen tonë. Sipas terapistes Elizabeth Earnshaw, shumë debate që nisin nga gjëra të vogla, si peshqirët e lagur apo enët e palara, shpesh fshehin probleme më të thella.
Ajo i ndan konfliktet në dy kategori: të zgjidhshme dhe të vazhdueshme. Të parat lidhen me përditshmërinë dhe zakonisht gjejnë kompromis. Të dytat, burojnë nga nevoja emocionale dhe çështje themelore që, nëse nuk adresohen, kthehen në konflikte kronike.
Sipas psikoterapistes Esther Perel, në thelb të shumicës së debateve qëndrojnë tre arsye kryesore:
1. Fuqia dhe kontrolli
Shumë konflikte lindin nga nevoja për kontroll. Diferencat në stilin e prindërimit, vendimmarrje apo organizimin e jetës mund të krijojnë tension. Zgjidhja nis me pranimin e dallimeve dhe me ndarjen e balancuar të kontrollit.
2. Afërsia dhe kujdesi
Shpesh, pas një sherri për “telefonin” apo mungesën e vëmendjes, fshihet një pyetje më e thellë: “A je këtu për mua?” Shprehja e ndjenjave me sinqeritet ndihmon në shmangien e keqkuptimeve.
Ndaj, në të tilla situata sigurohuni të mos shamangni konfrontimin, por të adresoni problemin real që po përjetoni në çift. Me pak komunikim dhe gjeste që shprehin dashurinë, ky problem mund të zhduket fare lehtë.
3. Respekti dhe mirënjohja
Çdo partner ka nevojë të ndihet i vlerësuar. Kur përpjekjet kalojnë pa u vënë re, lind pakënaqësia. Një “faleminderit” apo shprehje mirënjohjeje mund të bëjë diferencën. Pra, thojini më shpesh me zë të lartë gjërat që vlerësoni në heshtje te njëri-tjetri.
Fundja, çelësi i një marrëdhënieje të shëndetshme nuk është mungesa e konflikteve, por aftësia për t’i kuptuar dhe menaxhuar ato me pjekuri emocionale.
