LifeStyle

3 rituale manifestimi për të shfrytëzuar fuqinë e ekuinoksit të pranverës

Pas një dimri të gjatë, me energji të rënduara dhe shumë kaos, më 20 mars vjen një fillim i ri: ekuinoksi i pranverës në hemisferën veriore. Kjo është një nga dy ditët në vit kur dita dhe nata janë të barabarta, duke shënuar një kthesë të fortë energjetike dhe fillimin e një cikli të ri. Këtë vit, momenti është veçanërisht i fuqishëm dhe ideal për të vendosur qëllime të reja dhe për të “manifestuar” atë që do në jetën tënde.

Ekuinoksi ka një domethënie të thellë shpirtërore dhe është festuar prej mijëra vitesh në kultura të ndryshme. Në disa praktika shpirtërore njihet si Ostara, një festë që simbolizon rikthimin e dritës dhe fuqinë e diellit. Nga kjo pikë e deri në vjeshtë, ditët bëhen më të gjata se netët, pra energjia është në rritje, njësoj si mundësitë e tua.

Në astrologji, kjo ditë shënon edhe fillimin e vitit të ri astrologjik, pasi përkon me hyrjen e Diellit në shenjën e Dashit, shenja e parë e zodiakut. Kjo sjell energji të re, guxim dhe nxitje për të nisur gjëra të reja. Si bonus, këtë vit përfundon edhe periudha e prapavijës së Mërkurit, që do të thotë më pak pengesa dhe më shumë rrjedhshmëri në plane, ide dhe komunikim.

Nëse do ta shfrytëzosh këtë moment, ja disa rituale të thjeshta për të të ndihmuar:

1. Ritual pastrimi i shtëpisë (dhe energjisë)

Nuk mund të sjellësh të reja në jetën tënde pa larguar të vjetrat. Prandaj, hapi i parë është pastrimi fizik dhe energjetik.

Hap dritaret, vendos muzikë që të jep energji dhe fillo të rregullosh shtëpinë. Edhe nëse ke kohë vetëm për një dhomë, pastroje me kujdes: hiq gjërat e panevojshme, organizo rrëmujën, fshiji sipërfaqet dhe pastro dyshemenë.

Pasi të mbarosh, me dritaret hapur, thuaj me zë: “Çdo energji negative dhe e padobishme largohet nga hapësira ime.”

Nëse ke zile apo një tas tingëllues, përdori pranë dyerve dhe dritareve për të “pastruar” energjinë. Në fund, ndiz një qiri ose temjan dhe mendo për qëllimet e tua për muajt në vijim. Mund t’i shkruash ose të krijosh një “vision board” për t’i mbajtur gjithmonë para syve.

2. Ritual me qiri për sezonin e Dashit

Dashi është shenjë zjarri, ndaj një ritual me qiri është perfekt për këtë periudhë.

Do të të duhet: një qiri, letër, stilolaps dhe pak kanellë.

Qiri i bardhë: për fillime të reja

Qiri i kuq: për pasion dhe motivim

Qiri i verdhë: për vetëbesim

Vendos një rreth me kanellë rreth qiriut (kanella simbolizon energji dhe përshpejtim). Pastaj shkruaj në letër dëshirat ose qëllimet e tua dhe vendose brenda rrethit.

Ndiz qiriun dhe thuaj: “Le të ndezë energjia e këtij sezoni zjarrin brenda meje, të forcojë besimin tim dhe të tërheqë gjithçka që dëshiroj.”

Ndërsa qiriu digjet, imagjino sikur dëshirat e tua janë bërë realitet.

3. Qeska magjike me petale trëndafili

Lulet janë simboli i pranverës dhe ky ritual përdor trëndafilin për dashuri, shërim dhe pastrim.

Do të të duhen:

disa trëndafila

letër dhe stilolaps

një qeskë e vogël (pëlhure)

opsionale: kanellë, lëvore portokalli të thata, vajra aromatikë

Shkruaj qartë çfarë dëshiron të realizosh. Pastaj hiq petalet e trëndafilit një nga një, duke menduar për dëshirat e tua dhe duke “ngarkuar” çdo petal me energji pozitive.

Vendosi petalet në një tabaka, fut mes tyre letrën me dëshirat dhe lëri të thahen për 3–7 ditë në një vend të thatë dhe të errët.

Më pas, vendosi në qeskë bashkë me letrën. Mund të shtosh kanellë për bollëk ose lëvore portokalli për energji pozitive.

Mbylle qeskën dhe mbaje në dhomë, në një vend të veçantë, si një kujtesë e qëllimeve të tua dhe energjisë që ke vendosur në to.

Të Ngjashme