Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se deri tani janë intervistuar shumica nga gjithsej 43 kryesues të Qendrave Komunale të Numërimit në pesë komunat e rajonit të Mitrovicës, të dyshuar për manipulim të votave në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar se 34 prej të intervistuarve janë ndaluar për 48 orë. Sipas tij, të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i votave”.
Prokuroria kishte njoftuar më herët se ka autorizuar hetuesit për intervistimin e 43 kryesuesve të Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
