Lajme

34 vjet nga Referendumi i 1 dhe 2 marsit 1992, Hasani: Akt historik dhe shprehje e vullnetit plebishitar

Me 1 dhe 2 mars janë bërë 34 vjet nga mbajtja e Referendumit të vitit 1992, një prej ngjarjeve më të rëndësishme politike për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

Profesori Mr.Sc. Refik Hasani ka vlerësuar Referendumin e 1 e 2 marsit 1992 si një moment kyç në historinë politike të shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, duke theksuar rëndësinë e tij në përcaktimin e së ardhmes së kësaj pjese.

“Referendumi i 1 e 2 mars 1992, përfaqëson një moment historik, ishte dhe mbeti artikulimi politik i shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, një formësim i angazhimit si kolektivitet i organizuar i këtij Rajoni”, shprehet Hasani.

Image
Profesori Mr.Sc. Refik Hasani

Sipas tij, përmes këtij procesi është dëshmuar pjekuria politike dhe rezistenca qytetare e shqiptarëve në rajon.

“Është treguar pjekuria e faktorizimit politik i manifestuar si rezistencë e shqiptarëve për të treguar përmes organizimit dhe daljes për votim në Referendumin plebishitar”, thekson ai.

Hasani e konsideron referendumin si orientim të qartë për të ardhmen politike të krahinës.

“Ishte udhërrëfyes për vizionin e të ardhmes politike. Ishte rezistencë politike për të drejtat individuale e kolektive, për të qenë të barabartë jo më pak se të tjerët. Referendumi shpalli këtë Krahinë si Autonome, duke themeluar edhe Kuvendin për Autonomi Territoriale-Politike të shqiptarëve”, deklaron ai.

Ai nënvizon se ky akt ishte rezultat i një uniteti të gjerë politik e intelektual.

“Është kontribut i gjithë forcave politike e intelektuale, ishte një akt i lartë historik, ishte një unitet dhe veprim i përbashkët i gjithë subjekteve politike shqiptare. Ishte shprehja e vullnetit të pjekur politikisht, plebishitar dhe popullor që ishte përcaktimi politik i së ardhmes duke marrë përgjegjësinë për ta shtruar-ngritur për zgjidhje çështjen e kësaj Krahine, duke respektuar aspiratën e shprehur në formë plebishitare përmes Referendumit”, shprehet Hasani.

Duke iu referuar zhvillimeve të mëvonshme, ai përmend edhe rezistencën e armatosur në rajon.

“Referendumi i mbajtur më 1 e 2 mars të vitit 1992, dhe kryengritja e armatosur nga UÇPMB-ja, që mbrojti pragun, dinjitetin dhe identitetin. Përmes kësaj sakrifice të luftës arriti nën prezencën, monitorimin e palës nga BE-ja, dhe palës ushtarake dhe politike ndërkombëtare ndërkombëtarizimin e këtyre përmasave”, thekson ai, duke iu referuar UÇPMB-s.

Po ashtu, Hasani veçon edhe rëndësinë e Marrëveshja e Konçulits.

“Po ashtu edhe Marrëveshja e Konçulit, ishte një arritje në nivelin në instancat më të larta ndërkombëtare, tregon se, nuk është vetëm çështje e brendshme e Serbisë”, shprehet ai.

Në fund, profesori thekson dimensionin historik dhe aktual të çështjes.

“Referendumi i 1 e 2 mars 1992, përveç tjerash manifeston se Shqiptarët vazhdojnë të ruajnë dhe të jenë Autoktonë të kësaj Krahine, pasi reflektojnë vazhdimësinë historike dhe etnokulturore të shqiptarëve në këtë hapësirë. Kjo Krahinë mbi të gjithë nuk e ka të zgjidhur statusin Politik e Juridik, dhe kërkon zgjidhje të drejtë, përmes mjeteve politike e demokratike. Zgjidhja e çështjes të jetë e qëndrueshme, dhe me ndërmjetësimin e palës ndërkombëtare”, përfundon vështrimin e tij Mr.Sc. Refik Hasani.

Të Ngjashme