Nëse merrni suplemente të vitaminës D për të trajtuar mungesën e saj, është e rëndësishme të dini se disa suplemente të tjera mund të ndikojnë në përthithjen, efektivitetin dhe metabolizmin e saj në organizëm.
Magnezi
Pse mund të ndikojë:
Magnezi është i nevojshëm për aktivizimin e vitaminës D në trup. Megjithatë, nivelet shumë të larta të magnezit mund të prishin balancën e kalciumit në organizëm.
Çfarë duhet të bëni:
Nëse merrni suplemente magnezi, vitaminë D dhe kalcium, rekomandohet që dozat e magnezit dhe kalciumit t’i merrni në intervale disa orëshe për të shmangur konkurrencën në përthithje.
Ekspertët sugjerojnë gjithashtu që magnezin ta merrni sa më shumë nga ushqimi. Burime natyrale të magnezit janë:
-perimet me gjethe jeshile
-arrat dhe farat
-drithërat e plota
-bishtajoret
Kalciumi
Pse mund të ndikojë:
Disa studime tregojnë se marrja e kalciumit dhe vitaminës D së bashku mund të jetë e dobishme për shëndetin e kockave. Megjithatë, dozat shumë të larta të kalciumit mund të ndikojnë në metabolizmin e vitaminës D dhe të disa lëndëve të tjera ushqyese.
Çfarë duhet të bëni:
Nëse duhet të merrni doza të larta kalciumi, është mirë që suplementet e kalciumit dhe vitaminës D t’i merrni në momente të ndryshme gjatë ditës për të shmangur ndikimet e mundshme në metabolizëm.
Vitamina K
Pse mund të ndikojë:
Studimet tregojnë se një çekuilibër mes vitaminës D dhe vitaminës K të marra si suplemente mund të çojë në depozitimin e tepërt të kalciumit në enët e gjakut dhe jo në kocka. Me kalimin e kohës kjo mund të rrisë rrezikun për probleme si ateroskleroza (trashja ose ngurtësimi i arterieve), e cila mund të çojë në infarkt apo goditje në tru.
Çfarë duhet të bëni:
Kombinimi i duhur i vitaminës K2 me vitaminën D mund të jetë i dobishëm, sidomos për shëndetin e zemrës dhe kockave. Megjithatë, para se t’i shtoni në rutinën tuaj të përditshme, është e rëndësishme të konsultoheni me një profesionist shëndetësor për dozën e duhur.
Vitamina A
Pse mund të ndikojë:
Sasitë e tepërta të vitaminës A në formë suplementi mund të zvogëlojnë përfitimet e vitaminës D për shëndetin e kockave. Kjo ndodh sepse të dyja janë vitamina të tretshme në yndyrë dhe përdorin të njëjtat rrugë për përthithje dhe receptorë në trup.
Çfarë duhet të bëni:
Balanca është më e rëndësishme sesa shmangia. Vitaminat A dhe D përthithen më mirë kur merren me një vakt që përmban yndyrë.
Rekomandohet gjithashtu që vitamina A të merret kryesisht nga ushqimet, si:
-karotat
-patatet e ëmbla
-spinaqi
-lakra jeshile
Këto ushqime përmbajnë beta-karoten, i cili shndërrohet në vitaminë A vetëm kur trupi ka nevojë.
Nëse multivitamina që përdorni përmban vitaminë A, preferoni produkte ku ajo është kryesisht në formën e beta-karotenit dhe jo në forma të tjera sintetike.
A është e sigurt marrja e vitaminës D?
Në përgjithësi, vitamina D mund të merret në mënyrë të sigurt me shumë suplemente të tjera. Megjithatë, duhet pasur kujdes sidomos me magnezin, kalciumin, vitaminën K dhe vitaminën A.
Para se të shtoni një suplement të ri ose të ndryshoni rutinën tuaj të suplementeve, këshillohuni me një profesionist të shëndetit, si mjek apo dietolog. Dozat dhe koha e marrjes së suplementeve janë të rëndësishme për të shmangur ndërveprimet dhe për të siguruar përthithjen dhe efektivitetin maksimal të tyre./gazeta shendeti
