Zëvendësministri i parë i Arsimit dhe Shkencës, Përparim Kryeziu, dhe këshilltarja e ministrit Hajrulla Çeku, Arta Berisha, morën pjesë në tryezën e diskutimit të organizuar me rastin e shënimit të 45-vjetorit të demonstratave studentore të vitit 1981.
Aktiviteti u organizua nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Shoqëria “Lëvizja” dhe organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në tryezë u theksua rëndësia historike e demonstratave gjithëpopullore të vitit 1981, duke u konsideruar si fillimi i një kthese të rëndësishme historike drejt lirisë dhe pavarësisë.
Gjatë diskutimit u evokuan ngjarjet dhe akterët pjesëmarrës e organizues të këtyre demonstratave, si dhe situata politike e kohës që i parapriu dhe që pasoi demonstratat.
U theksua se si studentët u organizuan fillimisht me kërkesa për përmirësimin e kushteve në mensë dhe në konvikte, gjë që shërbeu si shkëndijë për demonstratën e organizuar më 11 mars 1981.
Demonstratat e vitit 1981 u shtypën dhunshëm nga policia jugosllave, mijëra shqiptarë u arrestuan e u burgosën dhe organizatorët dhe pjesëmarrësit u përndoqën politikisht ndër vite.
Në këtë përvjetor jubilar, si çdo vit, nderojmë dhe lartësojmë guximin e studentëve që u bënë nismëtarë të një kryengritjeje që më pas u bë gjithëpopullore, kujtojmë çmimin dhe devotshmërinë për liri e pavarësi dhe rikujtojmë fuqinë dhe qëndrueshmërinë e popullit tonë.
Lavdi të gjithë të vrarëve nga policia jugosllave gjatë demonstratave të vitit 1981, dhe mirënjohje e përjetshme për përpjekjet e atij brezi për lirinë e Kosovës dhe për Kosovën Republikë.
