LifeStyle

5 mënyra si ta bëni fundjavën të ndihet më e gjatë

E premtja më në fund erdhi dhe bashkë me të edhe fundjava. Shumë prej nesh shpresojnë që në dy ditët e ardhshme të arrijnë të pushojnë, të flenë pak më gjatë, të bëjnë ndonjë aktivitet fizik, të takojnë miqtë apo familjen dhe të kthehen të hënën në punë më të freskët.
Por shpesh ndodh e kundërta. Fundjava kalon sa hap e mbyll sytë, ndërsa të dielën në mbrëmje ndiheni edhe më të lodhur se të premten. Planet që kishit menduar mbeten vetëm ide dhe nuk realizohen kurrë.

Ky është një skenar shumë i zakonshëm për shumicën prej nesh. Megjithatë, ka disa mënyra të thjeshta që mund t’ju ndihmojnë ta shijoni më shumë fundjavën dhe madje t’ju duket sikur zgjat më shumë, të paktën në perceptimin tuaj.

1. Mos e kaloni gjithë kohën para ekranit

Të shikosh filma apo seriale mund të duket si mënyra ideale për t’u çlodhur, por nëse e kaloni gjithë fundjavën para televizorit apo kompjuterit, rrezikoni të ndiheni edhe më të lodhur. Mendja vazhdon të mendojë për gjërat që nuk keni bërë dhe e hëna vjen shumë shpejt.

2. Mos e mbingarkoni veten me plane

Është shumë e lehtë të krijoni dhjetëra plane për dy ditë. Por në realitet, kjo shpesh përfundon në stres. Zgjidhja më e mirë është të mendoni vetëm disa aktivitete kryesore, për shembull tre gjëra në ditë, dhe të lini hapësirë edhe për spontanitet.

3. Zbatoni një orar të rregullt gjumi

Fundjava shpesh na tundon të rrimë zgjuar deri vonë dhe të zgjohemi shumë më vonë se zakonisht. Por kjo mund të prishë ritmin e gjumit dhe t’ju bëjë të ndiheni pa energji gjatë ditës.

4. Shkëputuni pak nga rrjetet sociale

Është normale të kontrolloni ndonjë mesazh apo email, por nuk është e nevojshme të jeni vazhdimisht online. Përpiquni ta përdorni këtë kohë për veten dhe për njerëzit tuaj. Dilni për një shëtitje, lexoni një libër, qeshni me miqtë apo luani me fëmijët. Këto momente e bëjnë fundjavën të ndihet më e plotë.

5. Provoni diçka të re

Fundjava është momenti ideal për të bërë diçka që nuk e keni provuar më parë. Mund të jetë një aktivitet sportiv, një hobi i ri apo edhe një eksperiencë që ju duket pak sfiduese. Përvojat e reja ju japin energji dhe e bëjnë fillimin e javës shumë më pozitiv.
Fundja, sekreti për një fundjavë që duket më e gjatë nuk qëndron te numri i orëve, por te mënyra se si i përdorim ato. Pak më shumë lëvizje, më pak ekran dhe më shumë momente të vërteta me njerëzit që duam mund ta bëjnë diferencën.

Të Ngjashme