LifeStyle

5 përfitimet e terapisë së zëvendësimit të hormoneve në MENOPAUZ

Trajtimi i simptomave problematike të menopauzës është vetëm një pjesë e historisë kur bëhet fjalë për terapinë e zëvendësimit të hormoneve. Kjo terapi ka disa cilësi mbrojtëse, vërtet të rëndësishme, që mund të anashkalohen në bisedat për simptomat, fashat, spiralet dhe rutinat.

Për mua, përfitimet afatgjata janë po aq të rëndësishme sa zhdukja e simptomave.

SHËNDETI I KOCKAVE

Kur përdoret në fillim të menopauzës, terapia e zëvendësimit të hormoneve mund të ndihmojë në parandalimin e humbjes së densitetit të kockave. Është veçanërisht e rëndësishme nëse keni menopauzë të hershme ose pamjaftueshmëri të parakohshme të vezoreve, por mund të mbrojë gratë e çdo moshe. Disa studime kanë treguar se terapia e zëvendësimit të hormoneve mund të rrisë densitetin e kockave me rreth 5 % në 2 vjet dhe të zvogëlojë rrezikun e frakturave të shtyllës kurrizore e ijëve me 40 %.

SHËNDETI I ZEMRËS

Studimet tregojnë se terapia e zëvendësimit të hormoneve mund të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve të zemrës nëse fillon para moshës 60 vjeç ose brenda 10 vjetëve të menopauzës. Sëmundja koronare e zemrës vret çdo vit 2 herë më shumë gra se tumori i gjirit në Mbretërinë e Bashkuar. Është vrasësja më e madhe e grave në mbarë botën.

SHËNDETI METABOLIK

Ka prova që tregojnë se estrogjeni ruan në mënyrë periferike shpërndarjen e yndyrës, gjë që është më e shëndetshme se dhjami i akumuluar rreth belit. Mund të ketë një efekt të dobishëm edhe në metabolizmin e kolesterolit dhe të sheqerit.

SHËNDETI I LËKURËS

Estrogjeni ndihmon në ruajtjen e strukturës së kolagjenit, hidratimin dhe elasticitetin e lëkurës. Është treguar se terapia e zëvendësimit të hormoneve, HRT, rrit hidratimin epidermik, elasticitetin e lëkurës, trashësinë e saj dhe gjithashtu, redukton rrudhat. Për më tepër, rritet përmbajtja dhe cilësia e kolagjenit dhe niveli i vaskularizimit.8

SHËNDETI I TRURIT

Aktualisht nuk është shumë i qartë efekti i terapisë së zëvendësimit të hormoneve në rrezikun e demencës, por disa studime kanë treguar se gratë që përdorin terapinë e zëvendësimit të hormoneve ulin rrezikun e prekjes nga demenca, ndërsa studime të tjera e kanë kundërshtuar këtë.

Sidoqoftë, një studim i vitit 2021, që përfshin më shumë se 600 mijë gra, në më shumë se 3 dekada, arriti në përfundimin se terapia e zëvendësimit të hormoneve nuk shton rrezikun e prekjes nga demenca.

Një studim i vitit 2022, nga SHBA-ja, raportoi se përdorimi e terapisë së zëvendësimit të hormoneve për 6 vjet ose më shumë ul ndjeshëm rrezikun e prekjes nga alzhaimeri, demenca dhe shumë sëmundjeve të tjera neurologjike. Në të vërtetë, gratë që iu nënshtruan terapisë hormonale për menopauzën për 6 vjet ose më shumë, kishin 79 % më pak gjasa të zhvillonin alzhaimerin dhe 77 % më pak gjasa të zhvillonin ndonjë sëmundje neurodegjenerative.

 

Të Ngjashme