Kuriozitete

5 qytete të humbura që qëndruan të varrosura për shekuj

Për mijëra vjet, qytetet janë ngritur dhe janë zhdukur nën forcën e natyrës, konflikteve apo thjesht sepse qytetërimet e reja u ndërtuan mbi to. Sot, falë teknologjive moderne shumë prej tyre po dalin sërish në dritë. Në raste të tjera, ndryshimet klimatike ose rastësia kanë zbuluar atë që ishte harruar për shekuj.

Këto janë pesë prej qyteteve të humbura që u rizbuluan në mënyra krejt të papritura.

1. Një qytet gjigant nëntokësor u zbulua rastësisht në Turqi

Në vitin 2020, arkeologët që punonin në Midyat të Turqisë juglindore gjetën një hyrje të fshehtë në një qytet të madh nëntokësor, të quajtur Matiate. Rrjeti i gjerë i tuneleve dhe dhomave daton rreth 2 mijë vjet më parë, shumë më herët se kishat e lashta mbi tokë që datojnë në shekullin VI.

Në qytet mund të kenë jetuar deri në 60 mijë banorë, të cilët kërkonin mbrojtje nga persekutimi, klimat ekstreme apo armiqtë. Arkeologët kanë gjetur monedha, eshtra njerëzish dhe kafshësh, si dhe ambiente magazinimi për ushqime e verë.

Deri tani është zbuluar vetëm një pjesë e qytetit, i cili mendohet të shtrihet në rreth 9 milionë metra katrorë. Studiuesit synojnë që një ditë Matiate të hapet për turistët dhe të rivalizojë qytetin e famshëm nëntokësor të Derinkuyu.

2. Pulat e zhdukura çuan te zbulesa e Derinkuyu-t

Në vitin 1963, një banor në rajonin e Kapadokias vuri re se pulat i humbnin në mënyrë misterioze përmes një çarje muri. Pas heqjes së murit, ai zbuloi një hyrje drejt një qyteti të tërë nëntokësor të harruar prej shekujsh.

Derinkuyu, i vendosur 280 metra nën sipërfaqe, përfshin 18 nivele dhomash dhe tunele dhe dikur strehoi rreth 20 mijë persona. Qyteti përfshinte stalla, shkolla, depo, puse dhe oxhaqe ajrimi.

Për mijëra vjet banorët përdorën këtë rrjet si strehë ndaj luftërave dhe klimës së ashpër. Sot, Derinkuyu është një nga atraksionet turistike më të vizituara në Turqi.

3. Thatësira rekord në Nevada nxori në sipërfaqe një qytet të zhdukur

Thatësira e zgjatur në jugperëndim të SHBA-ve ka ulur në nivele historike ujërat e Liqenit Mead, pranë digës Hoover. Ndërsa uji u tërhoq, u shfaqën rrënojat e St. Thomas, një qytet i braktisur që u përmbyt në vitet 1930 kur liqeni filloi të formohej.

St. Thomas ishte themeluar nga mormonët në vitin 1865 dhe më pas u popullua nga qindra njerëz që ndërtuan shtëpi, shkolla, dyqane dhe madje një dyqan akulloresh. Deri para dy dekadave, qyteti mund të vizitohej vetëm me zhytje nën ujë. Sot, muret dhe themelet e tij të dukshme janë një simbol i prekshëm i ndryshimeve klimatike.

4. Radarët zbuluan një qytet të ngrirë në Grenlandë

Në prill 2024, shkencëtarët e NASA-s përdorën radarë depërtues në akull dhe kapën një imazh të Camp Century, një qytet ushtarak i ndërtuar nga ushtria amerikane nën akullin e Grenlandës gjatë Luftës së Ftohtë.

I ndërtuar në vitin 1959, kampi kishte tunele, një tren elektrik, një reaktor bërthamor dhe hapësira për rreth 200 ushtarë. Ai ishte pjesë e një projekti sekret për të vendosur raketa bërthamore nën akull.

I braktisur në vitin 1967, Camp Century u mbulua nga dëbora për dekada. Por ngrohja globale rrezikon ta shkrijë akullin dhe të nxjerrë në sipërfaqe mbetjet e tij bërthamore deri në fund të shekullit.

5. Lidari zbuloi një qytet të madh Maya në Meksikë

Një student i arkeologjisë në SHBA zbuloi rastësisht të dhëna lidari (teknologji matëse me rreze lazeri) të rajonit Campeche në Meksikë dhe nën pyjet tropikale ai identifikoi një qytet të pazbuluar më parë të civilizimit Maya, të quajtur më vonë Valeriana.

Teknologjia lidar depërton përmes kurorës së pemëve, duke zbuluar forma të fshehura. Aty, kërkuesit gjetën mbi 6 mijë e 700 struktura, përfshirë piramida, lagje banimi, kanale uji, fusha loje dhe rrugë të lashta.

Sipas vlerësimeve, qyteti ka pasur 30 mijë deri në 50 mijë banorë midis viteve 750–850 të erës sonë dhe mund të ketë qenë një qendër rajonale madhështore. Shkencëtarët ende nuk e kanë vizituar në terren, pasi shumë detaje të fshehura nën tokë presin të zbulohen.