Paçka se trendet e modës ndryshojnë çdo tre muaj, ekzistojnë disa elementë që i mbijetojnë kohës. Jo sepse janë të zhurmshëm, por sepse janë të saktë. Janë copëza që nuk varen nga sezoni por nga prekja që i bëjnë veshjes.
E thjeshtë në dukje, por transformuese në efekt. Këmisha e bardhë është kanavaca e stilit. E kombinuar me xhinse krijon një minimalizëm chic; me fund midi bëhet elegante; me kostum transmeton autoritet. Sekreti qëndron te prerja dhe materiali cilësor që reflektohen në “look-un” final.
“Blazer-i” është simbol i modës prej dekadash tashmë. Nga “power dressing” i viteve ’80 deri te minimalizmi i sotëm, ai ka evoluar, por kurrë nuk është zhdukur. Silueta me shpatulla të strukturuara dhe prerje të pastër i jep çdo kombinimi një dimension të ri. Mund të vishet mbi një fustan të lehtë, me pantallona të gjera apo edhe me atlete gjithmonë funksionon.
I kthyer në ikonë nga Coco Chanel, fustani i zi mbetet investimi më i sigurt në garderobë. I adaptueshëm për darka, evente formale apo takime të rëndësishme, ai është prova që eleganca e vërtetë nuk ka nevojë për ngjyra të forta për të spikatur.
Një çantë e zezë, kafe apo “nude” është sinonim i stilit të përjetshëm. Forma mund të ndryshojë lehtë nga sezoni në sezon, por ideja mbetet e njëjtë: prakticitet dhe thjeshtësi, njejtë si me bizhuteritë.
Një zinxhir i hollë, një palë vathë të vegjël apo një byzylyk i thjeshtë në ar janë elementë që i japin dritë çdo kombinimi. Nuk dominojnë, por plotësojnë. Dhe pikërisht për këtë arsye nuk dalin kurrë nga moda.
Ajo që i bashkon këto pesë trende është qëndrueshmëria. Janë investime që mund të rikombinohen për vite me radhë, duke u përshtatur me stilin personal dhe me kohën. Moda e vërtetë nuk është ndjekje e çdo vale të re – është ndërtim i një garderobe që të përfaqëson, sot dhe pas dhjetë vitesh. Sepse trendet kalojnë. Stili mbetet.
