Kuriozitete

50 vjet nga fotografia që ndryshoi mënyrën si e shohim Tokën

Më 7 dhjetor 1972, njerëzimi pa për herë të parë Tokën të plotë nga hapësira. Ishte misioni Apollo 17, i fundit me ekuipazh që udhëtoi drejt Hënës, që solli një prej imazheve më ikonike të historisë – “The Blue Marble” (Mermeri Blu). Fotografia, e vetmja e Tokës së plotë e bërë ndonjëherë nga një njeri, u bë simbol i bukurisë dhe brishtësisë së planetit tonë.

Astronauti Harrison Schmitt, ndërsa fluturonte drejt Hënës, u shpreh: “Nëse ndonjëherë ka pasur një copëz e brishtë blu në hapësirë, është Toka tani”. Ai dhe pjesa tjetër e ekuipazhit – Eugene Cernan dhe Ronald Evans – ndanin kamerën analogjike Hasselblad 500 EL, të përshtatur enkas për përdorim në hapësirë, për të dokumentuar atë që shihnin: një Tokë e ndriçuar plotësisht nga Dielli, pa hije.

Image

Pamja e Tokës si një sferë blu në hapësirën e zezë të thellë preku emocionalisht astronautët, të cilët përshkruan retë artistike që rrotulloheshin mbi oqeane dhe dritat e Kalifornisë që konkurronin me yjet.

Por ajo që fotografia bëri përtej estetikës, ishte nxitja e vetëdijes mjedisore dhe kuptimi i kufijve të planetit tonë. Për herë të parë, njerëzimi e pa shtëpinë e vet si një sistem të vetëm, të ndërlidhur dhe të kufizuar.

Image

Pesëdhjetë vjet më vonë, NASA ka bërë publike një tjetër “Blue Marble”, këtë herë të realizuar nga një satelit një milion milje larg Tokës. Fotografia e re, e përbërë nga 12 imazhe të shkrepura çdo 15 minuta, zbulon ndryshime të dukshme në sipërfaqen e planetit si pasojë e ngrohjes globale.

“Një nga ndryshimet më të dukshme është tkurrja e akullnajave në Antarktidë,” thotë klimatologu Nick Pepin. “Po ashtu, shkretëtira e Saharasë është zgjeruar dhe pyjet tropikale po tërhiqen gjithnjë e më në jug.” Zona e Sahelit, dikur e pasur me gjelbërim, po humbet ndjeshëm mbulesën pyjore.

Image

Këto imazhe të reja janë marrë nga kamera EPIC në bordin e satelitit të NASA-s “Deep Space Climate Observatory” (DSCOVR), që ndodhet në pikën Lagrange 1 – një pikë ekuilibri mes Tokës dhe Diellit. Sipas shkencëtarit Alexander Marshak, në përvjetorin e 50-të, u morën imazhe çdo 15 minuta për të ndjekur rrotullimin e Tokës me detaje shumë më të larta se më parë.

Image

Fotografia e vitit 1972 vazhdon të jetë një nga më të riprodhuarat në historinë njerëzore. Ajo na tregoi se Toka është unike – një shtëpi e brishtë dhe e bukur që duhet ruajtur. Por fotografia e vitit 2022 na kujton se kjo shtëpi po ndryshon me shpejtësi. Dhe ky ndryshim, ndryshe nga forcat e natyrës që veprojnë me mijëra vjet, tani ndodh përmes njeriut.

Të Ngjashme