Një 30-vjeçar ka rënë në pranga, pasi shantazhonte dhe përndiqte një shtetase dhe familjarët e saj, për dhënien e shumës 5000 euro, për mospublikimin e videove dhe fotove personale të saj, në rrjete sociale.
Bëhet fjalë për Indrit Vucajn, i cili më përpara ka qenë 7 herë i shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale dhe i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve në shtetin zvicerian.
I riu postonte vazhdimisht foto me tufa me para në rrjetet sociale, që nuk dihet nëse kanë qenë ato që ka përfituar nga shantazhi apo jo, citon vizion plus.
“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Seksionin e Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe DVP Dibër, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Phone fiend”.
Gjatë operacionit u ndalua shtetasi I. V., 30 vjeç, banues në Bulqizë, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, parashikuar nga nenet 121/a/2 dhe 109/b.
Ky shtetas më përpara ka qenë 7 herë i shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale dhe i dënuar për vepra penale në fushën e narkotikëve në shtetin zvicerian.
Falë veprimeve hetimore profesionale nga specialistët e Sektorit të Hetimit të Krimeve Kibernetike, të kryera gjatë zhvillimit të këtij operacioni, është bërë dokumentimi i plotë ligjor i veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi, i cili dyshohet se ka përndjekur fizikisht dhe në rrjete sociale, një 33-vjeçare dhe familjarët e saj, për mospublikimin e disa fotove dhe videove personale të 33-vjeçares, në rrjete sociale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.