Shëndetësi

6 simptomat e depresionit që mund të rrisin riskun për demencë

Demenca dhe depresioni janë dy problematika shëndetësore të ndryshme për të cilat shkencëtarët kanë vërejtur një lidhje midis tyre. Sipas tyre, njerëzit me depresion duket se kanë një gjasë më të lartë për të zhvilluar demencë gjatë jetës së tyre.

Për të analizuar këtë studim të ri të botuar në “The Lancet Psychiatry”, ekspertja e mirëqenies në CNN, Dr. Leana Wen sqaron se “ata analizuan të dhënat nga një studim i gjatë britanik që filloi dekada më parë. Mbi 5 mijë e 800 të rritur plotësuan një pyetësor me 30 pyetje rreth simptomave depresive në fund të viteve 1990, kur të gjithë pjesëmarrësit nuk kishin demencë. Pjesëmarrësit u ndoqën më pas për rreth 25 vjet përmes regjistrave kombëtarë të shëndetit, me diagnoza të demencës të gjurmuara deri në vitin 2023. Gjatë asaj periudhe ndjekjeje, rreth 10% e pjesëmarrësve zhvilluan demencë”.

Sipas Wen, gjashtë simptomat, që studimi identifikoi, të cilat lidhen veçanërisht me rrezikun e demencës vite më vonë, janë humbja e besimit në vetvete, të qenit i paaftë për të përballuar problemet, të mos ndjerit ngrohtësi dhe dashuri për të tjerët, ndjenja e ankthit dhe nervozitetit përgjatë gjithë kohës, të qenit jo i kënaqur me mënyrën si kryhen detyrat dhe vështirësitë në përqendrim.

Megjithatë duhet bërë e ditur se depresioni nuk është një përvojë e njëjtë për të gjithë sepse njerëzit mund të ndajnë të njëjtën diagnozë, por versione të ndryshme simptomash.

Gjithashtu Wen sqaron arsyet përse këto simptoma çojnë në demencë dhe sipas saj disa simptoma mund të ndikojnë në shëndetin e trurit me kalimin e kohës.

Një tjetër mundësi është që disa simptoma mund të pasqyrojnë ndryshime të hershme në funksionin e trurit që ende nuk janë diagnostikuar si demencë, por që mund të lidhen me të njëjtat procese themelore.

Sipas Wen, një mundësi e tretë mund të jetë përballja me stresin kronik, gjumi i dobët dhe faktorë të tjerë rreziku për sëmundje kronike mund të ndikojnë si në humor ashtu edhe në njohje.

Nga ana tjetër, një aspekt tepër interesant i studimit ishte identifikimi i “moshës së mesme” , mosha nga 45-69 vjeç, si një periudhë e rëndësishme për shëndetin e trurit.

“Mosha e mesme është gjithashtu një periudhë, kur shumë faktorë rreziku të modifikueshëm bëhen më të spikatur. Tensioni i gjakut rritet për shumë njerëz. Shtimi në peshë dhe rezistenca ndaj insulinës mund të rriten. Gjumi mund të përkeqësohet. Stresi kronik mund të grumbullohet. Në të njëjtën kohë, mosha e mesme është një dritare kyçe për parandalim. Nëse studiuesit mund të identifikojnë sinjale që sugjerojnë rrezik të lartë vite para se të zhvillohet demenca, kjo krijon një mundësi për të ndërhyrë më herët”, pohon ekspertja Wen.

Për personat që vuajnë nga depresioni, ky studim nuk duhet të shërbejë si alarm, por më shumë si tërheqje vëmendjeje.

Sipas Wen, ky hulumtim nuk tregon se depresioni shkakton demencë, dhe sigurisht që nuk do të thotë që dikush me këto simptoma është i destinuar të zhvillojë demencë.

Ajo bën thirrje të mos neglizhohet gjumi, investimi në lidhje sociale me miqtë dhe familjen, mosneglizhimi i dëgjimit dhe shikimit, i cili mund të kontribuojë në izolim social si dhe trajtimi në kohë i depresionit dhe problematikave të tjera të shëndetit mendor, si pjesë të shëndetit të përgjithshëm afatgjatë.

Të Ngjashme