Lajme

67vjeçari rrëfen vështirësitë që u përball me kancerin e gjirit “Hera e parë kur kom shku te mjeku jom befasu qysh kancerin në gji”

Të paktën 5 burra janë diagnostikuar me kancer në gji brenda këtij viti, ka bërë të ditur Klinika e Onkologjisë. Mjekët në Klinikë kanë bërë thirrje për ndërgjegjësim edhe tek meshkujt por edhe vajzat e gratë që të mos e neglizhojnë sëmundjen.

“…Kur kom qenë mas pari që jom diagnostiku me kancer mjeku mka thanë një ndër rastet ma të rralla është te meshkujt. Në një milionë meshkuj ti e paske pasë këtë fat me pasë kancerin e gjiut…”, tha Mërgim Koca.

Për këtë sëmundje 67 vjeçari nga Gjakova tha se s’kishte ndëgjuar ndonjëherë të jetë shfaqur tek burrat. Por, tash e dy vjet, ai nisi një rrugëtim, të cilin, nuk priste se do i’a sillte jeta ndonjëherë.

“…për herë të parë kom dëgjuar që unë kom kancer në gji. Sa kom punu edhe po edhe në jetën e përditshme, hera e parë kur kom shku te mjeku jom befasu qysh kancerin në gji. Edhe shoqnisë kur ju kom tregu kërkush se marrke në mënyrë serioze…”, tha Koca.

Mërgim Koca, tha se iu desh kohë të mblidhte veten e t’i rrëfente familjes për atë që tashmë po zhvillohej në trupin e tij.

“… kur e mora rezultatin, dy ditë sju kom tregu familjarëve mos mi trazu po dikur grusë u duft patjetër me ju tregu fëmijëve…filloj një gandërr e vogël, muj me thanë sa thoni, një javë rrike e qetë, tani u rritke. Edhe me grunë e me fëmijët bisedova ju thash du me ba një ultraza të gjiut. E pash që e mur ma serioze…”

Onkologia Vildana Goga, tha se nuk ka rritje të numrit të kancerit të gjirit tek burrat krahsuar me vitet e kaluara, por sipas saj kjo sëmundje nuk duhet neglizhuar në baza gjinore.

“Këtë vit deri më tani janë diagnostiku 5 burra me kancer në gji, mirëpo nuk ka mungu numri i kancerit të gjirit tek burrat ndër vitet që kemi lanë pasë. Nuk është një numër i konsiderueshëm, e nuk i është dhanë potencë aq e madhe. Nuk është për tu neglizhuar…trajtim onkologjik marrin njejtë si gratë si burrat, sa i përket zbatimeve, meshkujt vijnë me ato dilemat pse unë me kancer të gjirit kur njihet si kancer i femrave më tepër sesa i meshkujve…janë të befasum kur e dijnë që i ka prekë sëmundja…”, tha Goga për rtv21.

Në Kirurgjinë Torakale kanë bërë të ditur se pavarësisht rasteve të rrala megjithatë kanë kryer edhe ndërhyrje kirurgjike tek meshkujt brenda këtij viti.

“Deri më tani kemi tri raste të burrave që kanë bërë ndërhyrje në kirurgjinë torakale si pasojë e kancerit të gjirit”, tha Nazmi Kolgeci – Drejtor i Kirurgjisë Torakale.

Trajtimi i kancerit të gjirit te burrat ndjek të njëjtat procedura sikurse te gratë. Organizata Botërore e Shëndetësisë vlerëson se 99% e kancereve të gjirit diagnostikohen te grate, ndërsa, 0.5 deri në 1% e kancereve të gjirit prekin burrat.