Blloku i godinave të shërbimit dhe banimit nga rruga “Luigj Gurakuqi” deri te sheshi “Avni Rustemi”, njohur ndryshe si zona e Pazarit të Ri, do t’i nënshtrohet rikualifikimit urban. Bashkia e Tiranës ka shpallur një tender prej 7 miliardë lekësh dhe pret oferta nga subjektet e interesuara, shkruan newsbomb.al.
Konkretisht, bëhet fjalë për rehabilitimin e fasadave të objekteve që ndodhen në të dyja anët e rrugës “Luigj Gurakuqi”, deri te sheshi “Avni Rustemi”.
Siç shihet dhe në dokumentet e tenderit të siguruara nga newsbomb.al, Bashkia e Tiranës do të ndërtojë pranë rrethrrotullimit të Pazarit të Ri një parkim nëntokësor me dy kate. Tenderi është shpallur sot më datë 27 Mars 2024 dhe kompanitë e interesuara kanë afat deri më 26 Prill.
Vlera e tenderit është 695,452,085.17 (gjashtëqind e nëntëdhjetë e pesë milion e katërqind e pesëdhjetë e dy mijë e tetëdhjetë e pesë pikë shtatëmbëdhjetë) lekë pa TVSH, ose 6,780,929 Euro sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, ose 7 miliardë lekë të vjetra.
18 muaj do të ketë në dispozicion kompania fituese ose bashkimi i operatorëve, nëse do të jetë i tillë, për të nisur e përfunduar punimet për rehabilitimin e fasadave të obejteve që ndodhen në të dyja anët e rrugës “Luigj Gurakuqi”, deri te sheshi “Avni Rustemi”.
Referuar dokumenteve, newsbomb.al raporton se burimi i financimit për do të jetë tërësisht me të ardhurat e Bashkisë së Tiranës, të parashikuara në buxhetin për vitin 2024.
Duke qenë se në këtë zonë nuk është vënë dorë prej vitesh dhe godinat e shërbimit dhe të banimit janë në gjendjen fillestare, në të gjitha fasadat e tyre do të ndërhyhet dhe pallatet do të përshtaten me stilin e objekteve të reja në zonën e Pazarit të Ri.
Hapësira e punimeve përfshinë dhe objektet e ndërtuara pak vite më parë kur Pazari i Ri u rikualifikua, por për shkak të gjendjes së mirë në të cilën ndodhen ndërtesat, është theksuar se në to nuk duhet të ndërhyhet, sipas variantit të propozuar të fasadave.
© Newsbomb.al
A ju ndihmoi ky artikull?PoJo