Shumica e grave shtatzëna presin të përjetojnë të përzierat e mëngjesit dhe dëshirat e pazakonta për ushqim, por shtatzënia sjell edhe një sërë simptomash të tjera më pak të njohura
Ndryshimet hormonale dhe rritja e qarkullimit të gjakut mund të shkaktojnë dukuri të papritura, si gjakderdhje të mishrave të dhëmbëve, hundë të bllokuar dhe ndryshime në lëkurë.
Shumë nga këto shqetësime, përfshirë kapsllëkun, këmbët e ënjtura dhe venat e zgjeruara, mund të lehtësohen me ndryshime të thjeshta në stilin e jetesës. Megjithatë, është e rëndësishme që për çdo simptomë të pazakontë ose shqetësuese të konsultoheni me mjekun për të siguruar shëndetin dhe mirëqenien tuaj dhe të foshnjës.
Shumë gra gjatë shtatzënisë përballen me probleme për të cilat shoqet apo anëtarët e familjes nuk kanë folur kurrë. Për disa simptoma, si gjakderdhja e mishrave të dhëmbëve, kapsllëku ose ndjesia e çuditshme e shpimit në pjesën e poshtme të trupit, ndonjëherë është e vështirë të flitet.
Megjithatë, nuk ka arsye për shqetësim. Edhe pse këto simptoma mund të duken të pazakonta dhe t’ju shtyjnë të kërkoni informacione në internet deri vonë natën, ato janë të zakonshme dhe nuk jeni e vetmja që i përjeton. Më poshtë janë disa nga simptomat më pak të njohura të shtatzënisë dhe këshillat e ekspertëve se si të përballeni me to, shkruan Parents.com, përcjell Telegrafi.
1. Hunda e bllokuar
“Prisni hundë të bllokuar, gjakderdhje nga hunda dhe madje edhe gërhitje. Arsyeja është se hormonet shkaktojnë fryrje të mukozës së hundës”, thotë gjinekologia Laura Dean nga Minesota.
Kjo ënjtje ngushton hapësirën nëpër të cilën qarkullon ajri. Shqetësimi mund të lehtësohet me sprej fiziologjik, lagështues ajri ose me thithjen e avullit gjatë dushit. Problemi zakonisht zhduket pas shtatzënisë.
2. Gjakderdhja e mishrave të dhëmbëve
Falë ndryshimeve në nivelet e progesteronit dhe estrogjenit dhe rritjes së qarkullimit të gjakut, mishrat e dhëmbëve gjatë shtatzënisë mund të fryhen, ashtu si pjesë të tjera të trupit.
“Mishrat mund të mbushen me gjak dhe të krijojnë xhepa të ndjeshëm indesh, ndaj mund të rrjedhin gjak gjatë larjes së dhëmbëve ose përdorimit të fillit dentar”, shpjegon stomatologu nga Nju Jorku, Gildo Corradi.
Nëse vëreni gjakderdhje më të madhe, edhe kur nuk i lani dhëmbët, vizitoni stomatologun. Ai do të kontrollojë nëse bëhet fjalë për gingivit apo parodontit, një formë më e rëndë e inflamacionit që mund të lidhet me rrezik më të lartë për lindje të parakohshme dhe peshë të ulët të foshnjës.
Corradi rekomandon pastrim profesional të dhëmbëve dy herë gjatë shtatzënisë dhe ruajtjen e higjienës së mirë orale. Problemet zakonisht zhduken pas lindjes.
3. Kapsllëku
Niveli i rritur i progesteronit e ngadalëson kalimin e ushqimit nëpër zorrë, gjë që mund të shkaktojë kapsllëk. Edhe vitaminat prenatale mund ta përkeqësojnë këtë problem.
Dr. Dean rekomandon konsumimin e shumë lëngjeve dhe ushqimeve të pasura me fibra si fruta, perime dhe drithëra të plota. Mund të përdoren edhe suplemente me fibra, por duhet të shmangen laksativët stimulues.
4. Venat e zgjeruara
Gjatë shtatzënisë, vëllimi i gjakut në trup mund të rritet deri në 50 për qind. Kjo rritje presioni mund të shkaktojë shfaqjen e venave të zgjeruara në këmbë.
Edhe hemorroidet janë një problem i zakonshëm për shkak të presionit në venat rreth anusit. Kremrat, banjat e ngrohta dhe jastëkët medicinale mund të ndihmojnë në lehtësimin e simptomave.
5. Rritje të vogla në lëkurë
Hormonet e shtatzënisë mund të shkaktojnë akne, ndjeshmëri ndaj diellit dhe errësim të lëkurës. Por disa gra vërejnë edhe rritje të vogla të lëkurës, sidomos në qafë, nën sqetulla ose rreth gjoksit.
Shumica zhduken pas lindjes, por nëse ju shqetësojnë, mund të hiqen nga specialistët.
6. Rritja e madhësisë së këmbëve
Disa gra pas lindjes vërejnë se këmbët e tyre janë bërë më të mëdha.
Shkaktar është hormoni relaksin, i cili zbut ligamentet për të lehtësuar lindjen. Ky hormon mund të ndikojë edhe në nyjet e këmbëve, duke bërë që ato të zgjerohen ose të zgjaten.
7. Shikimi i turbullt
Mbajtja e lëngjeve gjatë shtatzënisë mund të ndikojë edhe në sy.
“Kurz jeni shtatzënë, i gjithë trupi fryhet dhe kjo mund të ndikojë edhe në sy”, thotë gjinekologia Kristin Greves.
Megjithatë, në disa raste shikimi i turbullt mund të jetë shenjë e preeklampsisë, prandaj duhet të përmendet te mjeku.
8. Ënjtje dhe mpirje në kyçe
Mbajtja e lëngjeve mund të shkaktojë presion mbi nervat e duarve dhe kyçeve, duke çuar në sindromën e tunelit karpal.
Mbajtja e ortozave për kyçet mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave. Problemi zakonisht zhduket pas lindjes.
9. Mpirje ose shpim në pjesën e poshtme të trupit
Rritja e qarkullimit të gjakut dhe presioni i mitrës mbi nervat mund të shkaktojë mpirje ose shpim në pjesën e jashtme të kofshëve.
Ekspertët rekomandojnë përdorimin e rripit mbështetës për shtatzëni, i cili ndihmon në uljen e presionit mbi nervat.
