Lajme

96 orë festë për Vitin e Ri, programi i RTSH që premton t’ju mbërthejë pas ekranit

Radio Televizioni Shqiptar premton një programacion të larmishëm për ndërrimin e viteve dhe në ditët e para të Janarit 2024. Do të jenë 96 orë festë, me spektakël, humor dhe emisione të veçanta për të gjitha grupmoshat.

Bora Xhanija, drejtoresha e Programacionit në RTSH ka treguar për Newsbomb.al detaje ekskluzive nga “buqeta” e përgatitur deri në detaje për të mbajtur të mbërthyer publikun shqiptar, duke nisur nga mesdita e 31 Dhjetorit deri më 3 Janar.

“Maratona festive e programeve të RTSH do të zgjasë si asnjëherë më parë për 96 orë dhe përfshin dhjetëra programe të prodhuara enkas për 4 ditët e pushimeve të ndërrimit të viteve”, tregon Bora Xhanija, teksa thekson se ky programacion do të jetë vazhdim i traditës së televizionit publik.

Bora Xhanija, drejtuese e Programacionit ne RTSH
Bora Xhanija, drejtuese e Programacionit ne RTSH

Ekipi drejtues i RTSH-së siguron publikun e gjerë se duhet t’i besojnë programacionit të menduar deri në detaj, për të kaluar një natë të ndërrimit të viteve dhe fillim të 2024-ës si asnjëherë tjetër.

Spektakle, variete, humor, këngë, muzikë e zgjedhur shqiptare e ndërkombëtare për të gjitha moshat dhe shijet, filma premierë, komedi, talk show me personazhet më të dashur, speciale, reportazhe, dokumentare, lidhje live kudo ku festojnë shqiptarët brenda vendit e kudo tjetër nëpër botë.

Orët e festës do të nisin më datë 31 Dhjetor ora 13:30, me emisionin “E diela jonë”. Nën moderimin e Ermal Peçit, do të keni mundësi të ndiqni një maratonë festive me lojëra e rubrika nga më të ndryshmet, të cilat premtojnë të zgjojnë e përçojnë emocione të forta te publiku.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by RTSH (@rtshqiptar)

“Fustanella” e Altin Bashës do të jetë shfaqja artistike që do të hapë mbrëmjen festive. Një variete me humor të zgjedhur nga vetë regjisori që premton t’ju mbajë të mbërthyer pas ekranit të Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa të qeshurat vështirë se do t’i kontrolloni.

Kur momenti i trokitjes së gotave të afrojë, aktori i njohur i humorit Kosta Kamberi do të bëjë “Gëzuar” me ju nga ekrani.

Ai sjell një speciale për të gjithë miqtë dhe kolegët që janë larguar fizikisht nga jeta, por mbeten të paharruar në memorien e shqiptarëve. “Një tribut për Vaçe Zelën, Tano Banushin, Koço Devolen, Aleko Prodanin, Skënder Sallakun, Fadil Hasën, Fuat Boçin, Zef Dedën, e Vasilaq Vangjelin”, shpjegon Bora Xhanija.

Drejtoresha e Programacionit në RTSH zbulon dhe bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, për spektaklin e fishekzjarreve dhe koncertin festiv me artistët më në zë të estradës shqiptare.

“Kur ora të shënojë 00:00, gjithçka do të jetë gati për lidhjen me sheshin Skënderbej. Krahas Countdown-it nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe spektaklit të fishekzjarreve, shikuesit do të kenë mundësi për herë të parë në RTSH 1 HD të ndjekin LIVE disa nga këngëtarët më të mirë të muzikës moderne shqiptare, si rrjedhojë e bashkëpunimit të RTSH-së me Bashkinë e Tiranës”, tregon Bora për Newsbomb.al.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by RTSH (@rtshqiptar)

Data 1 Janar, siç e do tradita e RTSH-së, do të nisë me koncertin e Vienës e për të vijuar me specialet e përgatitura nga programet kryesore si “Mirmëngjesi Shqipëri”, “Jetë shqiptare”, “Pasditja ime”, “Stacioni rozë” dhe “Zona 30”. Mbrëmja do të mbyllet me këngë e valle në “Një natë sa një jetë”, ku i ftuar special do të jetë i madhi Bujar Qamili.

Edhe 2 dhe 3 Janari do të kenë një larmi programacioni, me një sërë koncertesh, specialesh e filma premierë. Në “Kur xhirohej një film” do të ndiqni rrëfime që bëhen për herë të parë, për komedinë aq të dashur nga të gjithë, “Pallati 176”.

Për ata që i kanë humbur netët e Festivalit të 62-të të këngës, do të kenë mundësinë që gjatë 96 orëve të festës t’i shijojnë ato ritransmetim në ekranin e Radio Televizionit Shqiptar.

Ekipi drejtues dhe gjithë stafi i RTSH-së kanë muaj që punojnë për të sjellë tek ju një programacion të larmishëm me spektakël, muzikë, filma dhe argëtim si asnjëherë më parë, duke premtuar t’ju mbajnë të mbërthyer pas ekranit.

Gjithçka që duhet të bëni është të merrni telekomandën dhe të zgjidhni Radio Televizionin Shqiptar!

A ju ndihmoi ky artikull?PoJo